Në 2023-ën u premtua se do të vijnë. Kur kjo nuk ndodhi, afatet për ardhjen e autobusëve të rinj në Prishtinë u shtynë për gjashtë mujorin e parë dhe të dytin e 2024-ës, por pa ndonjë sukses.
Autobusët e rinj nuk do të zbarkojnë në rrugët e kryeqytetit as me 1 janar të 2025-ës, datë të cilën e kishte publikuar vet kryetari Përparim Rama, raporton “Ju Flet Prishtina”.
Sipas Drejtorit të Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci, ardhja e flotës së re të autobusëve në kryeqendrën e vendit është e pamundur në janar, porse nëse punët ecin sado pak mbarë e mirë, për flotën e re ka shpresë në qershorin e vitit të ardhshëm.
E derisa kjo të ndodhë, ekzekutivi prishtinas po krijon alternativë të re, në kuadër të reformës së transportit publik.
24 kompanitë private të autobusëve do të operojnë si të tilla rrugëve të kryeqendrës deri në fundin e 2024-ës, kurse nga dita e parë e 2025-ës, ato do të jenë nën ombrellën e Komunës së Prishtinës.
Krejt kjo pas nënshkrimit të kontratës tetë vjeçare që bëri komuna me këta operatorë, ku për qëllim ka riorganizimin e linjave ekzistuese. /Klankosova.tv