Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ishte i pranishëm këtë të martë në mbrëmjen e organizuar nga të rinjtë e Fondacionit “Arbën Xhaferi”, mendimtarit dhe politikanit të madh shqiptar.
Në fjalimin e tij, Rama u ndal edhe te një nga temat më të nxehta në Maqedoninë e Veriut, e cila do të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut.
Ai u shpreh se ato që kanë fituar shqiptarët në Maqedoninë e Veriut nuk janë çështje të ligjeve apo të vullneteve të përkohshme të partive politike.
Sipas tij, Gjuha Shqipe është “materia” që ka ndihmuar të mbajë bashkë Maqedoninë e Veriut dhe të ushqejë një frymë bashkëjetese mes dy popujve shtetformues të Maqedonisë së Veriut, maqedonasve dhe shqiptarëve.
“Fatkeqësisht këtu si me dorë futet edhe tema e Gjuhës Shqipe, e cila në momentin që flasim është në një kontest të pakuptueshëm dhe të pashpjegueshëm për mua në Gjykatën Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut. Unë nuk them që udhëheqësit që besojnë në Gjykatat Kushtetuese të vendeve të tjera e kanë gabim. Por unë mendoj çka shqipja ka fituar si të drejtë qytetarie në Maqedoninë e Veriut nuk është një çështje e Gjykatës Kushtetuese, nuk është një çështje e ligjeve, nuk është një çështje e vullneteve të përkohshme të partive politike. Them të përkohshme sepse partitë politike zgjidhen një herë në katër vjet dhe herë janë në një anë, herë në anën tjetër, herë kanë shumë gjëra në dorë, herë s’kanë gjëra në dorë”.
“Por Gjuha Shqipe në Maqedoninë e Veriut është një çështje e materies që ka ndihmuar në mënyrë të jashtëzakonshme që jo vetëm ta mbajë bashkë Maqedoninë e Veriut, por edhe të ushqejë një frymë dhe një mënyrë të të parit të bashkëjetesës mes dy popujve shtetformues të Maqedonisë së Veriut, maqedonasve dhe shqiptarëve, në një sens si ai që Arbën Xhaferi e tregon si ëndrrën e tij më të madhe. Në sensin e integrimit, në këtë rast dy popujve shtetformues të Maqedonisë së Veriut, në sistemin e vlerave perëndimore politike, etike dhe kulturore”.
“Kjo është një gjë shumë e madhe për t’u futur në labirinthet juridike që tanimë i përkasin të kaluarës pasi shumë vite më parë Arbën Xhaferi dhe Ali Ahmeti bashkë me të tjerë, por unë këta të dy kam si dy kokat e shqiponjës së Ohrit, u vendos në piketat e bashkëjetesës paqësore dhe e shtetndërtimit evropian të Maqedonisë së atëhershme dhe Maqedonisë së Veriut sot. Dhe nuk u vendos nga Arbën Xhaferi dhe Ali Ahmeti, por u vendos nga shqiptarët të përfaqësuar në tavolinë nga Arbën Xhaferi dhe të vendosur në male nga Aliu dhe maqedonasve të përfaqësuar nga përfaqësuesit e tyre më të lartë të kohës”, u shpreh Rama.
Dhe duke folur nga një podium që mbante emrin e Arbën Xhaferit, kryeministri Rama theksoi se guri i rëndë i themelit që vendosi ai në Maqedoninë e Veriut nuk është mirë të preket, por të mbahet pastër për t’u marrë shembull se si maqedonasit, shqiptarët dhe minoritetet e tjera që jetojnë aty të bashkëjetojnë.
“Sot besoj që nga ky podium, nga kjo foltore ku është i shkruar emri i një prej shqiptarëve më të mëdhenj, shqiptar i madh, por jo shqiptaro-madh që të jemi të qartë. Shqiptar nga më të mëdhenjtë që kanë jetuar në tokat e banuara nga shqiptarët, trajektorja e jetës së të cilit është në vetvete një film, por mua më duket se është dhe një predikim. I lindur në Tetovë, studiuar filozofi në Beograd, punuar në Radio Televizioni në Prishtinë dhe rikthyer prapë aty ku lindi për të vendosur një gurë shumë të rëndë themeli të shtetit të Maqedonisë së Veriut dhe ai gur nuk është mirë të preket”.
“Ai gur është mirë vetëm të mbahet pastër dhe të jetë si një pikë referimi për shqiptarët dhe maqedonasit dhe minoritetet e tjera që jetojnë atje sepse ai është guri që bashkoi, unë besoj pakthim të dy popujve në rrugën e integrimit në atë që e përsëris për të tretën herë Arbën Xhaferi e konsideron si ëndrrën e tij më të madhe në sistemin e vlerave perëndimore politike, kulturore dhe etike. Dhe me fjalën etike mbyllet kjo përpjekje e imja që jo të mos dal keq para jush se me ju rregullohem, por mos të dal keq para Arbën Xhaferit që na shikon diku nga lart dhe nuk e dyshoj fare që buzëqesh gjithmonë sa herë i shfaqet përpara Ali Ahmeti”, tha Rama.
Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se do të shqyrtojë kushtetutshmërinë e Ligjit të shumëpërfolur për Gjuhët gjatë një seance më 11 Dhjetor. Ky Ligj, i cili nisi të diskutohet më 2017 dhe u miratua më 2018, parasheh përdorim të zgjeruar të gjuhës shqipe dhe e përmend atë në mënyrë specifike në nenin 2. “Kushtetuesja” pritet ta shqyrtojë edhe nenin 2 të këtij ligji. Lënda që lidhet me kundërshtimin e këtij ligji, përfshin 13 iniciativa të parashtruara nga qytetarë, parti politike dhe shoqata të ndryshme që prej vitit 2019. Opozita shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), ka paralajmëruar për “pasoja të rënda” në rast të shfuqizimit të ligjit. /tvklan