Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në seancën plenarë të përbashkët mes parlamenteve të Kosovës dhe Shqipërisë, kujtoi porosinë e presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, i cili i kishte thënë se objektivat e përbashkëta të Kosovës e të Shqipërisë janë integrimi në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në miqësi permanente me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai theksoi se e mendon me bindje të plotë se shqiptarët në përgjithësi janë në rrugë të progresit, janë populli më dinamik në këtë pjesë të Evropës dhe botës dhe se kane shansin historik të hyjnë me vlerat e tyre në familjen e madhe evropiane.
“Këto fjalë na duhen për të mos e humbur nga sytë objektivin historik të bashkimit përfundimtar me familjen e madhe evropiane të të dy shteteve tona, si dhe për të mos e hequr nga mendja se këtë shans historik shqiptarët mund ta shfrytëzojnë me suksese vetëm si ‘trimi i mire me shokë shumë’”.
“Por ndërkohë që Shqipëria po ecën me hapa të shpejt për t’u bashkuar me Evropën, paramendojeni se sa më krenarë do t’i bënim shqiptarët anembanë, çfarë vlere do t’i jepnim emrit të shqiptarit dhe forcës së shqiptarisë kudo ku shqiptarët jetojnë, sikur në këtë udhëtim të ishim krah për krah me Kosovën, sikur dhe Kosova të shkëlqente njësoj ndërkombëtarisht duke hedhur vallen e kësaj kohe drejt shqiptareve me një rritëm, me pagëzuesit e lirisë dhe bekuesit e pavarësisë së saj. Mos e harroni, në këtë rajon jemi i vetmi komb që flet të njëjtën gjuhë po aq të vjetër sa vet gjeneza e perëndimit”, deklaroi Rama.
“Dëshira ime e zjarrtë është që të mos jemi njëri në tryezën e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, kurse tjetri në listën e sanksioneve të BE-së, të cilat sot janë një absurditet absolut dhe së bashku me presidenten në samitin BE-së dy ditë më parë kemi këmbëngulur me forcë që ato masa të hiqen dhe kemi siguruar që te gjitha fondet e BE-së që janë penguar të lëvrohen për shkak të atyre masave, të mos digjen, por ne duhet te jemi dorë për dorë, paqedashës dhe paqeruajtës, për të bindur dora dorës edhe skeptikët më të mëdhenj në BE për absurditetin e rezervave të tyre ndaj njohjes së Kosovës si shtet sovran, dhe në sytë e tyre barra e fajit për degradimin për dialogun evropian të normalizimit duhet t’i bjerë e gjitha vetëm Serbisë, por kurrsesi nuk duhet të lejojmë që qoftë edhe një gram t’i bie Kosovës”, shtoi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Ai theksoi se do që Republika e Kosovës të njihet nga të gjithë ato vende evropiane që ngurojnë ta pranojnë realitetin e pandryshueshëm të saj, përfshirë dhe nga vetë Serbia, të cilën siç tha, Kosova e ka mundur me luftë këtu e 25 vjet më parë dhe s’ka më asnjë arsye për ta lidhur me të në asnjë formë e asnjë mënyrë fatin evropian të saj.
“Duam ta ndihmojmë me të gjitha Kosovën në arritjen e objektivit historik të përcaktuar nga presidenti Rugova, por mundësitë tona as që mund të krahasohen me mundësitë e miqve dhe aleatëve tanë strategjikë, dhe pezmatimi i tyre me Kosovën na pengon të bëjmë sa do të donim e do të mundnim të bënim në këtë kohë kur të gjitha yjet janë rreshtuar në favor të shqiptarëve, të shansit tonë historik si komb shqiptar për t’u bashkuar përmes dy shteteve tona me Evropën”.
“Kosova duhet ta ngrijë dialogun pa afat me Serbinë dhe normalizimin e marrëdhënieve me fqinjin verior duhet ta synojë përmes dialogut bilateral përmes Bashkimit Evropian, duke e këputur kërthizën e reciprocitetit nacionalist me Serbinë dhe duke e lidhur kërthizën e reciprocitetit evropianist me Bashkimin Evropian”, tha Rama.