Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar sot për herë të parë lidhur me debatin pas vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës për të hequr nga qarkullimi monedhën e Serbisë, dinarin.
Përmes një postimi në platformën X, Rama shprehet se Kosova duhet të angazhohet, të koordinohet dhe të punojë më ngushtë me aleatët e saj kryesorë, por ka të drejtën e pamohueshme për të mbrojtur kushtetutën e vet.
“Ndërsa të gjithë jemi dakord që Qeveria e Kosovës duhet të angazhohet, të koordinohet dhe të punojë më ngushtë me aleatët e saj kryesorë, le të mos e harrojmë gjithashtu të drejtën e pamohueshme të Kosovës për të zbatuar kushtetutën e saj. Pas Banjskës, është thelbësore të ruani fokusin dhe ndjenjën e ekuilibrit”, shprehet Rama.
Qëndrim kundër këtij vendimi kanë shprehur BE e ShBA, të cilët kanë kërkuar shtyrje me qëllimin të përgatitjes së qytetarëve serb që përdorin këtë valutë. Madje sot ambasadori amerikan, Jeffri Hovenier, ka thënë se nëse nuk ka ndonjë reflektim kjo çështje do të ndikojë në partneritetin mes dy vendeve.