Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka bërë të ditur se ka monitoruar nga afër rrëshqitjen në rrugën “Malush Kosova”, përcjell KosovaPost.
Përmes një postimi në Facebook, Rama ka kërkuar nga Prokuroria që të nisin menjëherë procedurat hetimore teksa ka ofruar bashkëpunim të plotë institucional.
Tutje kryetari ka pezulluar nga detyra inspektorët e përfshirë në rast deri në përfundim të hetimeve
“Nga Drejtoria e Inspeksionit kam kërkuar pezullimin e menjëhershëm nga detyra të inspektorëve të përfshirë dhe ndalimin e çdo përfshirjeje të tyre në këtë rast deri në përfundim të hetimeve! Gjithashtu kam kërkuar fillimin e një hetimi të brendshëm për të verifikuar raportet e inspektimit, frekuencën e kontrolleve në terren dhe për të identifikuar çdo lëshim, neglizhencë apo shkelje të mundshme të detyrës”, ka shkruar Rama.
Tutje i pari i kryeqytetit ka paralajmëruar masa të mënjehërshme nëse konstatohen shkelje nga individ të caktuar për shëmbjen e rrugës.
Poashtu Rama u ka bërë thirrje qytetarëve që të evitojnë lëvizjet në këtë zonë.
“Nëse konstatohen shkelje, do të ketë masa të menjëhershme nga largim nga puna deri në ndjekje penale! Gjithashtu, jemi në kordinim të vazhdueshëm me Policinë e Kryeqytetit, nga të cilë jemi njoftuar që të gjitha njësitë do të kenë prioritet menaxhimin e situatës së sotme dhe ruajtja e rendit publik në këtë zonë! Lus qytetarët që të evitojnë lëvizjen në këtë zonë deri në stabilizimin e situatës”, tha Rama.


























