Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN Kosova), në bashkëpunim me Internews Kosova kanë publikuar raportin mbi trendet e dezinformimit dhe analizës ligjore.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu si folëse në këtë ngjarje, tha se çështja e dezinformimit nuk mund të trajtohet më si temë periferike, i pëlqeu a po nuk i pëlqeu dikujt, sepse, tha ajo, është pjesë e arkitekturës së sigurisë.
Haxhiu tha se një shoqëri që përballet vazhdimisht me informacion të manipuluar, fillon të dyshojë në çdo gjë.
“Në agjendën legjislative 2026-2028, Qeveria ka paraparë projektligjin për KPM-në. Unë uroj që t’i tejkalojmë sfidat me të cilat po përballemi që ta gjejmë një zgjidhje për çështjen e presidentit në mënyrë që vendi të mos shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme e të vazhdojmë me punët që janë shumë”, tha ajo.
Haxhiu tha se kur flasin për dezinformimin merret që janë kundër medieve. “Le të flasin e le të shkruajnë për gjithçka, le të bëjnë çfarëdo kritike, por ajo të mos jetë shpifje, të mos jetë manipulim me qëllime të caktuara”, tha Haxhiu.
Sipas kryeparlamentares sot liria e mediave matet edhe me kapacitetin e sistemit për të garantuar transparencë, për të zbuluar ndikimin dhe për të mbrojtur integritetin e informacionit, dhe pikërisht këtu, tha ajo, fillon problemi.
“Ngase në këtë arkitekturë të brishtë të hapësirës informative, çështja e pronësisë së medias nuk është dytësore, është themelore. Mënyra se si zotërohen dhe financohen mediat përcakton drejtimin e informacionit që qarkullon në publik. Pronësia ekziston në letër, por jo gjithmonë në kuptimin substancial të saj, sepse ajo që mungon në fakt është identifikimi i kontrollit real ekomomik dhe redaktorial. Strukturat e ndërmjetme dhe pronësia indirekte e bëjnë të vështirë se kush vendosë, kush ndikon dhe në anën tjetër kush përfiton”, tha Haxhiu derisa foli për këtë temë.
Sipas saj, kjo është arsye pse në shumë raste autonomia redaktoriale është inegzistente dhe pronarët përzgjedhin atë që lejohet të raportohet, këto dinamika, tha ajo, raportohen edhe në raportet ndërkombëtare.
Por, sipas Haxhiut, edhe kur gjetjet bëhen publike, ato rrallë herë trajtohen me seriozitetin e duhur brenda vetë medieve.
Haxhiu tha se, në mungesë të arkitekturës etike, edhe reagimi ndaj dezinformimit mbetet i shpërndarë, i pakoordinuar.
“Dezinformimi është bërë pjesë e një logjike të gjerë ndikimi që operon përtej medieve, përtej kufijve të shtetit i cili nuk prodhohet as pa dashje, as rastësisht, por planifikohet me shumë kujdes e shpërndahet në mënyrë të koordinuar përmes kanaleve të ndryshme, duke përfshirë media tradicionale e platforma digjitale”, tha ajo.
Ndërkohë, ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, tha se ata që duan të sulmojnë demokracinë e Evropës, synojnë të gjejnë çfarëdo vrime të vogël, çfarëdo dobësie më të vogël e ta shfrytëzojnë atë për të depërtuar me sulmet e tyre. Prandaj, tha ai, Kosova ka interes që ta bëjë këtë luftë për mbrojtje, në mënyrë të bashkuar me të gjithë.

“Duhet t’i ekspozojmë interpretimet, narrativen dezinfomuese, shpejt, menjëherë. Të forcojmë kapacitetet e institucioneve, të gazetarëve që të identifikojnë, të luftojnë lajmet e rrejshme dhe të ndërtojmë qëndrueshmëri, pathyeshmëri në mesin e qytetarëve sa i përket mos rënies pre e dezinformimit. Siç shihet nga raporti, dezinformimi synojnë të prishin raportet sociale, të ngritin tensione në popullatë, tentojnë të sulmojnë pozitën e femrave në shoqëri, besueshmërinë e institucioneve, dhe synojnë të krijojnë jostabilitet, dalëngadalë, gradualisht, por me këmbëngulësi ta bënë demokracinë e Kosovës të dobët duke e helmuar atë vazhdimisht. Nuk mund ta mbrojmë këtë demokraci nëse nuk e kuptojmë pikë së pari që ajo është e rrezikuar. Ne mund të shpresojmë për të mirë, por vetëm shpresë nuk mjafton, por duhet të veprojmë”, tha ambasadori britanik.
Ndërkohë, njëri nga autorët e hulumtimit, Kreshnik Gashi këtë e ka quajtur një nga sfidat kryesore që lidhet me integritetin e informacionit.
“Çdo ditë e më shumë po e kuptojmë që luftimi i dezinformimit nuk është vetëm detyrë e medieve, por kërkon mobilizim gjithë shoqërorë për tu përballur me këtë sfidë”.
Ai ka treguar për punën hulumtuese 6 mujore që është bërë deri te publikimi i raportit.
Tha se në më pak se 6 muaj për Kosovën janë prodhuar 1323 artikuj të financuar me mjetet e qeverisë ruse.

“Janë identifikuar fillimisht 20 mijë linçe të dyshimta, që kanë përmbajtur mostra që ne i kemi pasur target, prej tyre 2361 janë analizuar në mënyrë të thellë për përmbajtjen dezinformuese të Kremlinit në vendin tonë. Elementi tjetër që është analizuar janë edhe 1323 lajme që janë publikuar prej medieve të Kremtimit në vendin tonë. Pra, janë publikuar jo në gjuhën ruse, por edhe në gjuhën shqipe edhe në gjuhën serbe. Pra, më pak se 6 muaj për Kosovën janë prodhuar 1323 artikuj të financuar me mjetet e qeverisë ruse” , tregoi ndër të tjera ai.
Gashi, tutje bëri të ditur se bazë e hulumtimit ka qenë të identifikohej rruga se si dezinformata vjen deri në Kosovë.
“E dyta , shumë e rëndësishme si pjesë e raportit, kapacitetet e institucioneve. Të dhënat tregojnë se kapacitetet e institucioneve për tu përballur me dezinformimin janë nën limitet minimale për të mos thënë jemi shumë keq”, tha Gashi, derisa foli edhe për mbetjen prapa me legjislacionin.
Sipas tij, derisa Evropa ka ecur shpejt në këtë drejtim, në Kosovë, tha ai, shumica e ligjeve nuk janë në harmoni me direktivat evropiane.
Ndërkohë, ka bërë të ditur se të dhënat e tyre fillestare tregojnë se 400 milionë është buxheti që mediat e kontrolluara nga Kremlini kanë në dispozicion “Për të prodhuar informacion ‘të duhur’ për Rusinë e që në kontekstin tonë është dezinformim”, tha ai.
Bazuar në këtë buxhet, ai ka dhënë edhe shifra se sa lajme për Kosovën prodhohen mesatarisht në baza ditore.
“Me këtë buxhet mesatarisht për Kosovën brenda një ditë prodhohen 7.3 lajme ditore. Për Kosovën as BBC nuk i bën 7 lajme në baza ditore, as Zëri i Amerikës që tash është mbyllur, as CNN e Washigton Post e të tjerë, por dilema është shumë e thjeshtë, pse media e kontrolluar direkt prej qeverisë së Rusisë i prodhon 7, 3 lajme për Kosovën, përgjigjja është e thjeshtë, për të dezinformuar”, tha Gashi.


























