Drejtori i Klinikës së Neurologjisë, Edmond Komoni, raportohet se ka qenë cak i një sulmi nga qentë endacakë brenda oborrit të QKUK-së.
Sipas mediave, rasti është konfirmuar nga ShSKUK, institucion i cili raportohet të ketë thënë se i gjithë stafi i QKUK-së është në rrezik dhe se ka pasur edhe sulme të tjera që kanë kaluar me lëndime trupore, por që në raste kanë mundur të jenë edhe rrezik për jetën.
“Fatkeqësisht, jo vetëm drejtorin e Klinikës së Neurologjisë, por kemi pasur disa raste të sulmeve edhe ndaj mjekëve të tjerë, infermierëve dhe stafit tjetër dhe përcjellësve të familjarëve”, kanë thënë për “Express” nga ShSKUK.
Ky institucion ka kërkuar që kjo problematikë të trajtohet me urgjencë nga organet kompetente.
“Fatmirësisht, rastet kanë pasur vetëm lëndime trupore, por që kanë pasur mundësi të kërcënojnë jetën. Ne riapelojmë, siç kemi shprehur apelin edhe në komunikata zyrtare, që kjo çështje të trajtohet me urgjencë”, vijon përgjigja.
Tutje, ata thanë se në mënyrë të vazhdueshme në komunikimet që kanë pasur me Komunën e Prishtinës dhe institucionet kompetente kanë shprehur shqetësimin mbi kërcënimin që paraqet prania e qenve endacakë brenda oborrit të QKUK-së.
“Si QKUK dhe ShSKUK, nuk kemi kompetencë ligjore për trajtim të qenve endacakë, as për ndërmarrje të masave tjera, andaj i jemi drejtuar organeve kompetente duke paralajmëruar rrezikun”, thuhet në përgjigje.
Sot portalimagazina.com ka publikuar një fotografi, për të cilën pretendon se është e drejtorit të Neurologjisë, i cili është raportuar se është sulmuar nga qentë.