Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka mohuar autenticitetin e incizimit të publikuar ditë më parë, ku pretendohet të jetë një bisedë e tij me një person të quajtur Sllabisha Popoviq.
Në një konferencë për media, Rashiq tha se bëhet fjalë për “metoda të njohura shpifjesh”, të cilat, sipas tij, aktivizohen sa herë afrohen zgjedhjet.
“Këto metoda, shpifje e manipulime, po bëhen përherë në kohë zgjedhjesh,” tha Rashiq.
Ai tregoi se disa muaj më parë bashkëpunëtorët e tij ishin kontaktuar nga një person që ishte paraqitur si pjesëtar i Agjencisë Informative të Serbisë dhe se pas refuzimit të tyre për t’u takuar, kishin marrë mesazhe kërcënuese.
“Pas refuzimit, numri i njëjtë u ka dërguar mesazh bashkëpunëtorëve të mi: ‘Nuk keni dashur të bashkëpunoni dhe tash e tutje do të publikojmë gjëra komprometuese për ju’,” ka deklaruar Rashiq.
Ai shtoi se nuk do të ndalet përballë presioneve dhe do të vazhdojë punën për interesat e komuniteteve dhe qytetarëve.
Rashiq do të dorëhiqet nga pozita e ministrit
Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka thënë se zgjedhja e tij si nënkryetar i Kuvendit të Kosovës e detyron të ndalojë ushtrimin e funksionit si ministër dhe se sipas procedurave, ai do të dorëhiqet nga pozita e ministrit ditëve në vijim.
Rashiq u shpreh i gatshëm të vazhdojë bashkëpunimin me Qeverinë. Ai gjithashtu tha se pozita e ministrit do t’i besohet dikujt tjetër nga partia e tij.
“Normalisht që nesër ose pasnesër kjo procedurë teknike, nuk mund të jemi njëkohësisht nënkryetar i Kuvendit dhe ministër. Por besoj që bashkëpunimi që kemi pasur deri tash me kryeministrin dhe VV do të vazhdojë në forma ndoshta pak të ndryshme, por në drejtim të njëjtë. Normalisht, pasi që jemi në mandat teknik, besoj që edhe ministri i ardhshëm do të jetë nga radhët e partisë time”, tha ai.


























