Rasim Selmanaj, shkrimtar dhe publicist, i burgosur politik në periudhën më të tmerrshme të luftës së fundit në Kosovë, i mbijetuar i gjenocidit dhe dëshmitar i krimeve monstruoze të kryera në Burgun e Dubravës, njëri ndër personalitetet më me autoritet në Rrafshin e Dukagjinit (dy herë ka fituar besimin e qytetarëve që të udhëheqë me Komunën e Deçanit dhe tri herë deputet i Kuvendit të Kosovës) ka mbështetur iniciativën e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur” që lulëkuqja me katër petale të bëhet simbol i përkujtimit të viktimave të gjenocidit.
Selmanaj e ka cilësuar kërkesën e qendrës si “ide briliante që memorizon kujtimin e një drame tragjike por edhe krenare të qendrës mbinjerëzore përballë një pushtuesi” dhe ka uruar që kjo kërkesë të marrë karakter zyrtar deri më 15 janar, kur Kosova shënon Ditën e Gjenocidit.
Qendra “Gjenocidi në Kosovë- Plagë e hapur” falënderon përzemërsisht atdhetarin dhe intelektualin e shquar për këtë mbështetje shumë të rëndësishme dhe apelin që në Ditën e Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Kosovë, lulëkuqja të merr formën zyrtare si simbol i vetëm i këtij gjenocidi.