Analisti dhe profesori universitar Rizvan Sulejmani, sonte në emisionin “Debat në SHENJA”, foli për implikimin e Ballkanit në dosjet që lidhen me rastin “Epstein”, duke ngritur dilema mbi rolin e figurave politike nga rajoni dhe mënyrën e funksionimit të demokracisë.
Sulejmani theksoi se shoqëritë në Ballkan, sipas tij, kanë qenë “të verbëra” ndaj mënyrës se si janë ndërtuar disa procese politike, duke aluduar në zgjedhjen e ish-presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga.
“Kemi qenë të verbër. Ne bëmë kryetar shteti në Kosovë me zarf. Sot, siç duket, zarfi e gjen adresën e vet. Pse u gjet tash emri i zonjës Jahjaga? Nuk mund të mohohet fakti se ajo u bë kryetar shteti me zarf. Ardhja me zarf ka një çmim dhe nuk u bë përmes procedurave normale”, deklaroi Sulejmani.
Ai shtoi se në emër të sigurisë dhe të asaj që quhet miqësi ndërkombëtare, shpesh vihet në pikëpyetje demokracia dhe parimet e saj themelore.
Sulejmani përmendi gjithashtu edhe emrin e ish-ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, duke thënë se figura e tij është shfaqur në raste të ndryshme kontraverse.
“Jo rastësisht përmendet edhe emri i Behgjet Pacollit, një figurë që shpesh paraqitet në kontekste kontraverse dhe që, sipas perceptimit publik, ka lidhje me qendra të caktuara të pushtetit dhe me regjime të ndryshme në botë”, u shpreh ai. /SHENJA


























