Real Madrid ka siguruar kualifikimin në 1/8 e finales së Ligës së Kampionëve, pasi mposhti Benficën edhe në ndeshjen kthyese të fazës së play-off-it.
‘Los Blancos’ triumfuan me rezultat 2-1 në “Bernabeu”, duke vulosur kalimin tutje me rezultat të përgjithshëm 3-1.
Skuadra portugeze e nisi më mirë takimin dhe kaloi në epërsi në minutën e 14-të me golin e Rafa Silvës, për 0-1. Megjithatë, reagimi i madrilenëve ishte i menjëhershëm, pasi Aurelien Tchouameni barazoi shifrat në 1-1 vetëm dy minuta më vonë, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë.
Në fraksionin e dytë, madrilenët kontrolluan më mirë lojën, ndërsa goli i fitores erdhi në minutën e 80-të, kur Vinicius Junior realizoi për 2-1, duke i dhënë fund dilemave rreth fituesit të këtij dueli.
Me këtë rezultat, Real Madrid avancon në rundin tjetër të garës elitare evropiane, ndërsa Benfica, e drejtuar nga Jose Mourinho, e përfundon këtu aventurën në Evropë për këtë sezon.
Kualifikimin në mesin e 16 më të mirave e ka siguruar edhe Paris Saint-Germain, që në sfidën kthyese barazoi 2-2 ndaj Monaco, por me rezultat të përgjithshëm 5-4 kalon në fazën tjetër të Ligës së Kampionëve.
Ndërkohë, përballja mes Juventus dhe Galatasaray ka shkuar në vazhdime. Ndeshja në kohën e rregullt përfundoi me fitoren 3-0 të torinezëve, të cilët arritën të përmbysin disavantazhin nga takimi i parë. Skuadra që do të sigurojë kualifikimin do të përcaktohet në vazhdime ose përmes penalltive.


























