Evropa dhe Gjermania në veçanti rrezikojnë të përballen me një sërë problemesh të lidhura me sigurinë, pas vrasjes së Ajatollah Ali Khamenei nga sulmi amerikano-izraelit.
Kjo, për shkak të një urdhri të shpërndarë nga regjimi, që bën thirrje për kryerjen e sulmeve nga celulat e fjetura të spiunazhit në mbarë kontinentin e vjetër.
Pas vdekjes së liderit suprem, i Madhi Ajatollah Nasser Makarem Shirazi shpërndau më 1 mars një urdhër për luftë të shenjtë kundër Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit.
Urdhri, i njohur në gjuhën lokale me emrin “fatwa”, thotë se të gjithë myslimanët janë të detyruar të marrin hak për “gjakun e martirit” dhe identifikon Amerikën dhe shtetin hebre si përgjegjësit kryesorë të krimit në dëm të tij.
“Fatwa” lëshohet nga një autoritet fetar islamik dhe u drejtohet të gjithë atyre që njohin pushtetin e tij. Regjimi në Teheran e ka përdorur vazhdimisht urdhrin në fjalë si mjet për të trembur apo për të kryer akte terroriste.
“Urdhri shërben si një përshpejtues i sulmeve në Evropë, që mund të kryhen nga rrjete ekzistuese spiunazhi, simpatizantë të regjimit apo aktorë të tjerë hibridë”, ka deklaruar eksperti i terrorizmit, Nicolas Stockhammer.
Në të njëjtën linjë shprehet edhe Heiko Heinisch, i cili ka thënë për Euroneës se rreziku për sulme individuale, apo përmes celulave të fjetura është relativisht i lartë.
Një nga rastet e fatwa-s është ai i paraardhësit Ajatollah Khomeini, që e dha urdhrin në vitin 1988 në dëm të kundërshtarëve të regjimit, që çoi në ekzekutime në masë.
Një tjetër u lëshua një vit më vonë, po nga Khomeini ndaj shkrimtarit Salman Rushdie, që çoi në protesta globale, sulme të dhunshme ndaj përkthyesve dhe botuesve të veprave të tij, si dhe në një sulm fizik me thikë ndaj Rushdie në vitin 2022.
Edhe Shtetet e Bashkuara kanë rritur masat e sigurisë pas sulmit ndaj Iranit, duke ia atribuuar rrezikun e atentateve si celulave të spiunazhit, ashtu edhe atyre që njihen si “ujqit e vetmuar”./euronews


























