Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e tre zyrtarëve policorë, të cilët dyshohet se kanë arrestuar dhe shoqëruar një qytetar, punonjës i sigurimit për Misionin e EULEX-it, pas një incidenti lidhur me parkimin e një veture private para hyrjes së parkingut të Misionit EULEX afër stadiumit të futbollit “Fadil Vokrri” në Prishtinë, veturë të cilën ishte duke drejtuar një zyrtar policor, transmeton KosovaPost.
Rasti raportohet të ketë ndodhur sot pas orës 08:00 ku dyshohet se janë përfshirë disa zyrtarë policorë të Njësitit të Reagimit të Shpejtë në Drejtorinë Rajonale në Prishtinë.
Bëhet e ditur se punonjësi vendor i sigurimit të EULEX-it ishte në detyrë të sigurimit të auto-parkingut të veturave të EULEX-it në kohën kur ka ndodhur incidenti.
“Bazuar në veprimet fillestare hetimore, me dyshimin se zyrtarët e përfshirë në këtë rast kanë kryer veprën penale ‘Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike’, IPK në interes të hetimit ka rekomanduar suspendimin e tre zyrtarëve policorë të Njësitit të Reagimit të Shpejtë në Drejtorinë Rajonale në Prishtinë”.
“Hetuesit e IPK-së në koordinim më Prokurorinë e Shtetit do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen më këtë rast”, thuhet në kumtesën për media të IPK-së