Është vërejtur një interesim i madh i studentëve të regjistruar në Universitetin e Prishtinës, për të zënë një vend në studimin e Programit të Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, për dallim nga viti i kaluar.
Ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci, tha se këtë e tregojnë të dhënat e UP-së, ndërsa shtoi se sot është mbylluri afati për regjistrimin e studentëve në këtë universitet.
“Në vitin e ri akademik në Programin Gjuhë Shqipe dhe Letërsi Shqipe do të pranohen gjithsej 120 studentë apo 60 studentë në secilin drejtim. Deri në ora 16:00 në Programin Gjuhë Shqipe kanë aplikuar 137 studentë (85% më shumë se vitin e kaluar), kurse në Programin Letërsi Shqipe kanë aplikuar 102 studentë (94% më shumë se vitin e kaluar)”, shkroi ajo.
“Interesimi për këto drejtime është shtuar për shkak se për herë të parë MASHTI do të ofrojë bursa vjetore për studentët që regjistrohen në këto programe. Shuma e bursës është 1 mijë euro në vit për student”, shtoi ajo në statusin e publikuar në Facebook.
Nagavci u shpreh shumë e lumtur që tashmë është rritur interesimi për këto Programe dhe nuk rrezikohet mbyllja e tyre.
“Mbështetja jonë për Gjuhën dhe Letërsinë shqipe do të vazhdojë edhe përmes nismave tjera”, tha ajo.