I nisur në fillim si biznes familjar, kultivimi i aronisë në familjen prizrenase Berisha, është kthyer në një pasion. Tani kjo familje kultivon 8 hektarë me këtë bimë aromatike, ndërsa eksporton edhe jashtë Kosovës. Sfidë kryesore ngelet fuqia punëtore, për të cilën sipërmarrësit thonë se detyrohen të investojnë në teknologji.
Pas disa dekadave në diasporë, Esat Berisha nga Prizreni kishte vendosur të kthehet e të investojë në Kosovë. E nisi punën në vitin 2016 duke kultivuar një kulturë pak të njohur në vend siç ishte aronia. Që nga viti 2016 familja Berisha erdhi duke e rritur sipërfaqen e mbjellë pasi njerëzit nisën t’i dinë vlerat e këtij fruti.
“Në fillim kemi pas fuqi punëtore më tepër, me kohën më është dashur të adaptohem me ambientin, pasi siq e dimë është mungesë e njerëzve dhe kam kaluar në makineri. Tregu akoma nuk është ai që duam por jemi në zhvillim, kemi kontakte dhe së shpejti presim kontrata të reja”, tha Esat Berisha.
Pas tetë vitesh, familja Berisha ka arritur ta kultivojë aroninë në tetë hektarë. Është e kënaqur me frytet e punës, ndërsa ka arritur ta mbyllë zinxhirin e prodhimit deri në produktin final. Në ditën kushtuar aronisë në Prizren, ministri i Bujqësisë Faton Peci, tha se bimët aromatike, ku futet edhe aronia, kanë përkrahje të konsiderueshme institucionale.
“Në kuadër të programeve që ne kemi në ministrinë e Bujqësisë, bimët mjekësore aromatike por dhe të gjitha produktet që janë të certifikuara me certifikatë organike, kanë trajtim dhe përkrahje të konsiderueshme, ndërsa bëjnë pjesë në kategoritë më strategjike që e kemi”, tha ministri Peci.
Kryetari i komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, duke parë suksesin dhe interesimin për këtë frutë, fton bashkatdhetarët që të investojnë në vendlindje.
“I lus të gjithë ata që kanë mundësi prej diasporës, që shumica e tyre kanë mjete, le të vijnë të fitojnë e të prodhojnë në vendin e vet, për arsye se Kosova është e mirë”, tha ai.
“Pemët e imta kanë bërë një revolucion sa i përket bujqësisë në vendin tonë, për arsye se kanë qenë kultura që i janë dedikuar eksportit, dhe na e kanë përmirësuar imazhin në Evropë”, tha Kujtim Lepaja nga Shoqata e mjedrave.
Ndërkaq, Agron Poniku, kirurg torakal tha se aronia është një frut i jashtëzakonshëm, pasi bën pastrimin e shumë sistemeve, si ai kardiovaskular.
“Pacientët e onkologjikut kanë nevojë për sistemin imunitar, ndërsa kjo ndikon në forcimin e sistemit imunitar”, shtoi ai.
Deri më tani aronia nga Prizreni, përveç tregut vendor, ka arritur të eksportohet në disa vende evropiane.