Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka bërë të ditur se aktualisht janë në operim tri njësi të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), ndërsa ekipet teknike janë duke punuar pandërprerë për rikthimin në funksion edhe të njësive të tjera, transmeton KosovaPost.
Rizvanolli njoftoi se njësitë B1, A4 dhe A5 janë operative, ndërsa ekipet teknike po angazhohen me tri ndërrime, 24 orë në ditë, për të rikthyer sa më shpejt në operim njësitë B2 dhe A3, të cilat pritet të kthehen në funksion gjatë mbrëmjes së nesërme.
Sipas saj, në këtë periudhë të ftohtë, kur kërkesa për energji është e lartë, pritet që KEK-u të punojë me pesë blloqe, ndonëse kjo paraqet sfidë të madhe. Ajo theksoi se Termocentrali Kosova A ka operuar me të tri njësitë njëkohësisht për 22 ditë radhazi që nga 19 dhjetori, duke e cilësuar këtë si një arritje të rrallë, pasi gjatë 25 viteve të fundit KEK-u ka punuar me pesë njësi vetëm 55 ditë në total.
Ministrja kërkoi angazhim dhe përgjegjësi maksimale nga menaxhmenti dhe punonjësit e KEK-ut për t’i sjellë të gjitha njësitë në operim dhe për t’i mbajtur funksionale gjatë muajve të ftohtë, duke theksuar rëndësinë e furnizimit të rregullt me qymyr nga Divizioni për Prodhimin e Qymyrit.
Në fund, Rizvanolli shprehu mirënjohje për punonjësit e KEK-ut për angazhimin e tyre në kushte të vështira dhe u bëri thirrje qytetarëve që të kursejnë energjinë elektrike, veçanërisht në këtë periudhë me kërkesë të lartë, për të kontribuar në sigurinë energjetike të vendit.


























