Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, priti në takim ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, me rastin e përfundimit të mandatit të tij, transmeton KosovaPost.
Sipas njoftimit të ministrisë, gjatë takimit, ministrja Rizvanolli dhe ambasadori Orav vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë dhe Bashkimit Evropian si konstruktiv dhe miqësor, duke theksuar rëndësinë e këtij partneriteti në mbështetje të reformave dhe proceseve zhvillimore në vend.
“Ministrja Rizvanolli e falënderoi ambasadorin Orav për angazhimin dhe punën e tij gjatë shërbimit në Kosovë, si dhe për kontributin e dhënë në lehtësimin e proceseve me rëndësi për vendin, në dobi të forcimit institucional dhe avancimit të reformave”, thuhet në njoftim.
Tutje theksohet se ministrja Rizvanolli i uroi Ambasadorit Orav suksese në angazhimet e tij të ardhshme, duke shprehur mirënjohje për bashkëpunimin e afërt dhe përkushtimin e tij ndaj Kosovës gjatë mandatit të tij.


























