Rreziku i përplasjes ushtarake, SHBA dhe Irani zhvillojnë sot bisedimet

Zyrtarë të lartë të Shteteve të Bashkuara dhe Iranit pritet të zhvillojnë këtë të premte (6 shkurt) bisedime të drejtpërdrejta në Oman, në një moment tensioni të lartë që ka nxitur frikën e një përplasjeje ushtarake mes dy vendeve.

 

Takimi vjen pas një pranie të shtuar ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, e cila u vendos si reagim ndaj shtypjes së dhunshme nga autoritetet iraniane të protestave antiqeveritare muajin e kaluar. Sipas organizatave për të drejtat e njeriut, gjatë këtyre protestave janë vrarë mijëra persona.

Ministri i Jashtëm i Iranit deklaroi se “bisedimet bërthamore me Shtetet e Bashkuara janë planifikuar të mbahen në Muscat rreth orës 10:00 të premten. Jam mirënjohës ndaj vëllezërve tanë omanë që bënë të gjitha rregullimet e nevojshme”.

Bisedimet në Oman do të zhvillohen në mes të një forcimi masiv të fuqisë detare dhe ajrore amerikane në rajon dhe duket se janë një shans i fundit për Teheranin për të shmangur një sulm të SHBA-së kundër udhëheqjes dhe programit bërthamor të vendit.

Bisedimet dështuan një ditë më parë (5 shkurt), pasi Irani u zotua se ato do të kufizoheshin vetëm në programin e tij bërthamor. SHBA-të kishin kërkuar që bisedimet të trajtonin edhe programin e raketave balistike të Teheranit, të cilin Irani e kishte përjashtuar.

SHBA-të kërkojnë që Irani të ngrijë programin e tij bërthamor dhe të heqë dorë nga rezervat e uraniumit të pasuruar, ndërsa kanë insistuar që në tryezë të përfshihen edhe çështje si programi i raketave balistike, mbështetja për grupet e armatosura në rajon dhe respektimi i të drejtave të qytetarëve iranianë. Nga ana tjetër, Teherani ka deklaruar se bisedimet do të fokusohen vetëm te programi bërthamor, duke lënë të paqartë nëse këto mosmarrëveshje janë zgjidhur.

Në javët e fundit, presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar se SHBA-të mund të bombardojnë Iranin nëse nuk arrihet një marrëveshje. Uashingtoni ka dërguar mijëra trupa dhe forca të konsiderueshme ushtarake në rajon, përfshirë një aeroplanmbajtëse, anije luftarake dhe avionë luftarakë. Irani ka reaguar duke paralajmëruar se do t’i përgjigjet çdo sulmi me forcë, duke kërcënuar objektivat ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme dhe Izrael.

Delegacioni iranian do të udhëhiqet nga ministri i Jashtëm Abbas Araghchi, i cili së fundmi deklaroi se forcat e armatosura iraniane janë “me gishtin në këmbëz”. Palën amerikane do ta përfaqësojnë i dërguari special Steve Witkoff dhe dhëndri i Trump, Jared Kushner.

Ky do të jetë kontakti i parë i drejtpërdrejtë mes zyrtarëve amerikanë dhe iranianë që nga përplasja Izrael–Iran në qershorin e kaluar, kur SHBA-të bombarduan tre objekte kryesore bërthamore iraniane. Teherani ka pohuar se aktiviteti i pasurimit të uraniumit u ndal pas këtyre sulmeve.

Për udhëheqjen iraniane, e cila përballet me presion të brendshëm në rritje, këto bisedime mund të përbëjnë mundësinë e fundit për të shmangur një ndërhyrje ushtarake amerikane që mund të destabilizojë më tej regjimin, i cili, sipas analistëve, ndodhet në pozicionin e tij më të dobët që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979.

 

Të ngjajshme

AlbanianBosnianEnglishGermanTurkish