Rrjeti i Grave Gazetare të Kosovës (RrGK) ka mirëpritur vendimin e Komisionit të Pavarur të Mediave për të dënuar emisionin “Big Brother” lidhur me ankesën e tyre për promovim të dhunës në familje.
Nga RrGK thonë se ky është një hap i rëndësishëm drejt adresimit të shkeljeve etike dhe mbrojtjes së standardeve profesionale në media.
RrGK po ashtu ka njoftuar se në ditët në vijim, do ta publikojnë komunikatën e plotë posa ta pranojnë vendimin zyrtar.
“Etika dhe përgjegjësia mbeten prioritet për një media të lirë dhe të drejtë”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) e ka gjobitur me 30 mijë euro Klan Kosovën, për shkak të promovimit të dhunës përmes “Big Brother”.
Lajmi u bë e ditur nga juristja e mediave, Flutura Kusari.Ajo e quajti këtë një vendim “historik” nga KPM, duke shtuar se promovimi i dhunës ndaj grave, denigrimi i komuniteteve dhe dëmtimi i fëmijëve përmes përmbajtjes televizive, nuk kalojnë.