Mbrojtësi i Real Madridit, Antonio Rudiger, ka kërkuar falje për sjelljen e tij në finalen e Kupës së Mbretit të shtunën.
Barcelona ka fituar për herë të tridhjetë e dytë Kupën e Mbretit, duke triumfuar ndaj Real Madrid me rezultat 3:2 pas dy vazhdimeve nga pesëmbëdhjetë minuta. Gjatë kohës shtesë Rudiger është ndëshkuar me karton të kuq pas hedhjes së një objekti ndaj gjyqtarit, pas një vendimi që ai e ka konsideruar të padrejtë. Ngjarja ka ndodhur në minutat e fundit të ndeshjes, kur gjyqtari Ricardo de Burgos Bengoetxea ka dhënë një faull për një moment të Kylian Mbappe dhe mbrojtësit Eric Garcia, duke mohuar mundësinë për një barazim të mundshëm nga ana e Real. Vendimi i gjyqtarit ka shkaktuar zemëratë tek lojtarët e Real Madrid, dhe veçanërisht tek Rudiger, i cili ka qenë në pankinë pas zëvendësimit. Kanë qenë shokët e tij të ekipit dhe stafi që e kanë mbajtur atë pasi ai ka tentuar të gjuajë edhe me akull gjyqtarin.
“Sigurisht nuk ka justifikim për sjelljen time mbrëmë. Më vjen shumë keq për këtë. Luajtëm një ndeshje shumë të mirë që nga gjysma e dytë. Pas 111 minutash, nuk mund të ndihmoja më ekipin tim, dhe para se të jepej fërshëllima e fundit, bëra një gabim. Edhe një herë kërkoj falje ndaj gjyqtarit dhe ndaj të gjithëve që zhgënjeva mbrëmë”, ka shkruar mbrojtësi në rrjetet sociale.
Gjithashtu edhe shokët e tij të ekipit, Lucas Vazquez dhe Jude Bellingham, janë ndëshkuar me kartonë të kuq, por Rudiger është ai që ka më shumë mundësi të përballet me një ndalim të rëndë. Sipas rregulloreve të Federatës së Futbollit të Spanjës, gjermani mund të pezullohet nga katër deri në dymbëdhjetë ndeshje. Në këtë mënyrë, Rudiger mund të humbasë një pjesë të konsiderueshme të ndeshjeve të ardhshme të sezonit./rtk


























