Zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Vershinin deklaroi se Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) nuk mund të ndërmarrë hapa për të ndaluar gjakderdhjen dhe dhunën në Rripin e Gazës për shkak të SHBA-së, raporton Anadolu, transmeton KosovaPost.
Duke iu referuar situatës në Lindjen e Mesme, Vershinin në konferencën për media në Moskë, tha: “Sigurimi i armëpushimit (në Gaza), duhet të garantojë sigurinë e të gjitha shteteve në rajon, përfshirë Izraelin. Duhet të zbatohet e drejta e palestinezëve për vetëvendosje dhe krijimin e një shteti të pavarur, i cili përfshihet në shumë rezoluta të OKB-së. Pa këtë, nuk do të ketë asnjë rezultat pozitiv. Si rezultat, ne jemi në pragun e kalimit në një luftë rajonale në shkallë të gjerë”.
Duke vlerësuar qasjen e SHBA-së ndaj Lindjes së Mesme, Vershinin tha se amerikanët kanë vendosur veto ndaj shumë vendimeve të KS-OKB-së në lidhje me Gazën dhe se kjo qasje nuk është konstruktive.
“Për fat të keq, KS-OKB-ja nuk ka mundur të ndërmarrë hapa për të ndaluar gjakderdhjen dhe dhunën për shkak të qasjes së SHBA-së. Kjo është shumë e trishtueshme dhe minon reputacionin e OKB-së”, potencoi ai.
– “KS-OKB duhet të rinovohet”
Duke deklaruar se KS-OKB-ja, duhet të rinovohet dhe zgjerohet, Vershinin tha se “Ka nevojë për rinovim që do të marrë parasysh pozicionet e shumë vendeve. Por, përpjekjet për të përfshirë vendet anëtare të NATO-s dhe Bashkimit Evropian (BE) në KS-OKB janë të papranueshme. Ky do të jetë një vendim i dëmshëm”.
Ai tërhoqi vëmendjen mbi situatën në Siri dhe shtoi se në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana, do të mbahet një takim ndërkombëtar dhe se për këtë janë bërë përgatitjet.