Mijëra euro buxhet kanë ndarë komunat e Kosovës për dekorime dhe organizime të festave të fundvitit. Për këto shpenzime, u kërkua kujdes nga niveli lokal, e sidomos nga ato komuna që kanë buxhet të vogël.
Me afrimin e festave të fundvitit, disa komuna veçse e kanë përfunduar dekorimin e shesheve, e disa të tjera janë ende në faza tenderuese.
Gjakova ka ndarë 47 mijë euro për organizimin e festave të fundvitit.
Specifika dhe llojet e dekoreve, kjo komunë i ka ilustruar edhe me fotografi.
30 mijë euro është shuma e planifikuar nga komuna e Kamenicës për të njëjtin qëllim.
Me hapësirë territoriale të ndryshme, dy komunat, e Suharekës dhe Kaçanikut, kanë shpenzuar nga 23 mijë euro secila.
Diçka më pak, rreth 20 mijë euro buxhet Podujeva dhe Vitia, kanë destinuar për dekorime.
10 mijë euro nga komuna e Rahovecit, mbi 3 mijë euro ajo e Junikut dhe, më pak se një mijë euro komuna e Vushtrrisë.
Por, sa janë të arsyeshme gjithë këto shpenzime?
“Përveç që ngjallë ambient festiv këto dekorime të fundvitit, normal edhe në anën tjetër ka shumë sfida dhe kritika, me të cilat edhe qytetarët i quajnë këto shpenzime si të tepruara nga komunat. Shembull, ka shumë komuna që kanë buxhet të vogël, por kanë shpenzime të mëdha. Ndërsa kanë sfida dhe ballafaqohen me probleme socio – ekonomike, probleme në arsim, shëndetësi, të cilat duhet t’i kenë më parësore”, tha njohësi i qeverisjes lokale, Valmir Ilazi.
Problematike, vlerësohet se mund të jenë edhe procedurat e negocimit të këtyre kontratave.
“Shpenzimi përmes procedurave të prokurimit publik, mund të ketë edhe sfidë tjetër, siç është ajo e transparencës në prokurim publik. Pasi që ligji i prokurimit e thekson qartë që procedurat e prokurimit gjithmonë duhen të jenë me transparencë dhe efikasitet”, tha Ilazi.
Për një gjë të tillë, me kallëzim penal, përfundoi kryetari i Komunës së Prishtinës, nga ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, për organizim të tregut dimëror “Verë- Dimër”.