Deputeti opozitar serb nga Lëvizja për Rimëkëmbjen e Mbretërisë së Serbisë (POKS), Vojislav Mihailoviq, duke komentuar paralajmërimin e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, për vendimin e SHBA-së për vendosjen e sanksioneve ndaj Industrisë së Naftës në Serbi, ka thënë se kjo vjen si presion mbi Vuçqin nga perëndimorët për përmbushjen e premtimeve e njëri prej tyre është edhe njohja e pavarësisë së Kosovës.
Mihailoviq gjithashtu vlerëson se Vuçiqit do t’i kushtojë shumë politikisht bashkëpunimi me kriminelët që e kanë përkrahur për të qëndruar në pushtet, dhe tani atij i ka ardhur ta paguajë politikisht në formën e lakut në qafë.
Sipas deputetit opozitar serb, shkruan “Danas”, ‘mentorët’ e Vuçiqit [nga Evropa dhe SHBA], duke e parë se atij po i afrohet fundi, e përshpejtojnë që ta përmbushë premtimet që ka dhënë kur ka ardhur në pushtet, litiumin gjermanëve, kurse SHBA-ve pavarësinë e Republikës së Kosovës.
“Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duhet t’ua thotë të vërtetën qytetarëve, se mentorët e tij nga SHBA-të kërkuan ekstradimin e menjëhershëm të Milan Radoiçiqit tek autoritetet e Kosovës dhe kërcënuan se nëse nuk e bën këtë, do të vendosin sanksione ndaj Industrisë Serbe të Naftës. Vuçiq refuzoi, jo sepse nuk dëshiron të ekstradojë serbët, por sepse Milan Radojiçiq, veçanërisht në këtë moment politik, do të ishte një dëshmitar shumë i pavolitshëm i lidhjes së tij me majën e krimit në Serbi, duke filluar nga klani Velko Belivuk dhe duke përfunduar me grupin e Zvonko Veselinoviqit”, tha Mihailoviq, transmeton Telegrafi.
Llideri i POKS-it thotë se Vuçiq po i numëron ditët e fundit, sepse në momentin kur hyn në konflikt për Milan Radoiçiqin me Zvonko Veselinoviqin dhe të ashtuquajturit biznesmenët e tjerë kontrovers, me të cilët ka plaçkitur qytetarët e Serbisë përmes korrupsionit, do të jetë fundi i tij politik.
“Ai tani është përballë një zgjedhjeje të vështirë nëse do të dëgjojë shefat e tij nga SHBA dhe të ekstradojë Radoiçiqin, sepse ata kanë vendosur që rasti Banjska tani të dalë në plan të parë, që është shumë e rëndësishme për ta për të finalizuar procesin shkëputjes së Republikës së Kosovës nga Serbia, apo t’i ekspozojë të gjithë qytetarët nën sanksionet e SHBA-së, të cilat do të shkaktojnë mungesë të derivateve dhe rritje enorme të çmimit të saj. Serbia në të dyja rastet është peng i një njeriu, arbitrariteti dhe politikat e tij shkatërruese për popullin dhe vendin që ai e drejton prej 12 vitesh, Aleksandar Vuçiq”, shtoi Mihailoviq.
“Do të kemi probleme me rusët”, Vuçiq: SHBA do t’i vendosë sanksione Industrisë Serbe të Naftës për shkak të pronësisë ruse
Lexo po ashtu
“Do të kemi probleme me rusët”, Vuçiq: SHBA do t’i vendosë sanksione Industrisë Serbe të Naftës për shkak të pronësisë ruse
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njoftoi të premten vonë se Shtetet e Bashkuara do të vendosin sanksione “brenda pak ditësh” ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS), për shkak se kompanitë ruse gëzojnë shumicën e aksioneve të saj.
Vuçiq ka deklaruar se vendimi i SHBA-së për vendosjen e sanksioneve ndaj NIS-it është gjeopolitik dhe i drejtuar kundër Rusisë dhe se po ashtu është llogaritur të “na detyrojë të vendosim sanksione ndaj Rusisë”, transmeton Telegrafi.
“Ky është një vendim shumë më i madh. Ky është një vendim gjeopolitik. Një vendim shumë më i madh se gjërat e përditshme këtu, të cilat zgjidhen në një mënyrë ose në një tjetër. Nuk kemi dëgjuar kurrë që amerikanët po e përgatisnin. Ne e dinim që Evropa po përgatitej për më shumë se dy vjet, por kurrë nuk dëgjuam që amerikanët po përgatisnin”, tha Vuçiq. /