Shtetet e Bashkuara me gjasë do t`i japin fund ndalesës për përdorimin e armëve me rreze të gjatë veprimi të SHBA-së për Ukrainën. Ndërkohë, sekretari amerikan, Blinken, dhe ai britanik, Lammy, do të udhëtojnë për në Kiev, për t`u takuar me presidentin ukrainas Volodimir Zelensky.
Presidenti amerikan, Joe Biden, ka dhënë disa shenja se do t’i japë fund ndalimit të kufizimit të përdorimit të armëve me rreze të gjatë veprimit të SHBA-së për Ukrainën.
Nëse kjo ndalesë tërhiqet, do ta përmbushte kërkesën e përsëritur të Ukrainës për lejimin e përdorimit të tyre.
Rusia nuk ka komentuar për këtë vendim, por më herët presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se një veprim i tillë do të çonte drejt problemeve shumë serioze.
Këtë paralajmërim, presidenti amerikan e ka dhënë në kohën kur sekretari amerikan i Shtetit, Antoni Blinken, ndodhet në Londër, ku është takuar me sekretarin e Jashtëm britanik, David Lammy, të cilët bashkërisht po përgatiten të udhëtojnë në Kiev, ku do të takohen me presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky.
Të tjerë aleatë të Kievit i kanë dhënë Ukrainës raketa me rreze të gjatë veprimi, megjithatë me disa kufizime se si dhe kur mund të përdoren ato brenda Rusisë për shkak të brengës se sulmet me këto armë do të mund të nxitnin kundërpërgjigjen që do t’i tërhiqte vendet e NATO-s në luftë apo do të mund të provokonte një luftë bërthamore.