Senatori amerikan Bernie Sanders tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë bashkëpunëtorë në makthin që po kalon populli palestinez, transmeton Kosova Post.
Fjalimi i tij përkon me kritikat në rritje brenda Senatit për politikat e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu. Krahas Sandersit, gjithnjë e më shumë ka zëra mes demokratëve që shprehin pakënaqësi për politikat e Netanyahut.
Në një fjalim para Senatit, Sanders tha se ishte e vështirë për të të kuptonte pse Kongresi nuk po vepronte për t’i dhënë fund vuajtjeve të palestinezëve dhe për të zgjidhur katastrofën humanitare me të cilën përballet populli i Gazës.
Ai tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë bashkëpunëtorë në tragjedinë që po përjetojnë miliona palestinezë.
“Këtë javë e detyrova Senatin të merrte një votim të paprecedentë për të hetuar shkeljet e mundshme të të drejtave të njeriut gjatë operacionit ushtarak izraelit. Edhe pse kemi marrë vetëm 11 vota, nuk po dorëzohemi. Ne duhet ta trajtojmë këtë krizë humanitare”, tha Sanders në fjalimin e tij.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, më herët pranoi se “shumë palestinezë janë vrarë”, një nga dënimet e tij më të drejtpërdrejta për luftën e Izraelit në Gaza.
Edhe pse SHBA thotë se mbetet një aleat i vendosur i Izraelit, duke justifikuar luftën e tij kundër Hamasit, Sekretari amerikan i Shtetit pranoi se “shumë palestinezë janë vrarë dhe shumë kanë vuajtur në këto javët e fundit”.
Të paktën 24,620 njerëz janë vrarë dhe 61,830 janë plagosur në sulmet izraelite në Gaza që nga 7 tetori. Shumica e palestinezëve të vrarë janë fëmijë dhe gra. Numri i rishikuar i të vdekurve në Izrael nga sulmi i Hamasit më 7 tetor është 1,139.