Studentët, duke bllokuar Universitetin e Beogradit, shënuan ‘Ditën e Studentëve’ më 4 prill me një marsh protestues, teksa theksuan se kjo datë nuk është për festë, por për të kujtuar luftën për autonominë universitare, të vërtetën dhe drejtësinë.
Një tjetër ditë proteste dhe një tjetër mesazh për autoritetet. Studentët, të cilët prej muajsh mbajnë bllokuar fakultetet në gjithë Serbinë, shënuan këtë ditë me një marsh në kujtim të kolegut të vrarë dhe si vazhdim i kërkesave të tyre që ende nuk janë përmbushur.
Më 4 prill 1936, studenti i drejtësisë Zharko Marinoviq u vra gjatë një proteste në Beograd, duke luftuar për ruajtjen e autonomisë universitare. Që nga viti 1955, kjo datë shënohet si ‘Dita e Studentëve’.
Marshi filloi nga Sheshi i Studentëve dhe vazhdoi deri te Instituti i Patologjisë i Fakultetit të Mjekësisë, vendi ku Marinoviq u vra. Aty u mbajt një minutë heshtje, pas së cilës studentët vazhduan drejt sheshit ‘Slavija’ dhe Fakultetit Juridik. Protesta u përmbyll me vendosjen e kurorave mbi varrin e Marinoviqit në varrezat e reja të qytetit.
Studentët theksuan se kjo ditë nuk është për festë, por për të ngritur zërin kundër padrejtësive, për të ruajtur vlerat universitare dhe për të rikujtuar kërkesat e tyre të papërmbushura.
“Erdhëm për të kujtuar për çfarë luftojmë dhe kundër kujt. Kundër atyre që këmbëngulin në përçarje dhe hakmarrje, dhe për një shoqëri ku mbizotëron rendi dhe përgjegjësia”, tha një student i Fakultetit të Mjekësisë.
Një studente e Fakultetit Ekonomik shtoi: “Jemi të vendosur ta çojmë deri në fund. Çdo ditë ndodh diçka e re dhe pres nga kolegët e mi që të qëndrojnë të fortë si në fillim. Nëse autoritetet do të na dëgjojnë kjo është në dorën e tyre, por ne nuk do t’i dëgjojmë ata.”
Rektori i Universitetit të Beogradit, Vlladan Gjokiq, uroi Ditën e Studentëve dhe falënderoi komunitetin akademik për, siç tha ai, “angazhimin personal për të ruajtur unitetin dhe për të mbrojtur dinjitetin e të rinjve të arsimuar në Serbi”. Për shkak të mbështetjes publike për studentët, Gjokiq është bërë shënjestër e fushatave të mediave proqeveritare dhe përfaqësuesve të pushtetit.
Ky marsh protestues është pjesë e një aksioni më të gjerë studentor. Bllokadat në fakultete zgjasin tashmë mbi katër muaj, ndërsa studentët vazhdojnë të kërkojnë përgjegjësi të plotë për tragjedinë në Novi Sad, ku në shembjen e strehës në stacionin hekurudhor humbën jetën 16 persona./rtk