Radio Televizioni i Kosovës ka siguruar një dokument që vërteton se njësitet speciale të policisë serbe, në shkurt të vitit 1999, kishin hartuar një listë për ekzekutimin e 66 shqiptarëve.
Dokumenti, i titulluar “Lista e shqiptarëve që duhet të likuidohen me procedurë të shpejtë,” mban nënshkrimin e komandantit të njësisë speciale të policisë serbe, kolonel M. Marinkoviq, dhe përmban emrat e 66 qytetarëve shqiptarë, shumica prej të cilëve figura publike dhe intelektualë të kohës.
Në mesin e personave që kërkoheshin për ekzekutim ishte edhe ish-kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi, i cili gjatë luftës shërbente si mjek i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Po ashtu, në këtë listë ishte edhe Sadri Ferati, ish-Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës.
Sipas dokumentit, territori ishte i ndarë në zona operative, ku emra të caktuar ishin përgjegjës për realizimin e vrasjeve në secilën zonë. Mes personave të përfshirë në ekzekutimin e këtij plani ishin emra të tillë si Dejan, Ratko (besohet të jetë Ratko Antonijeviq, ish-drejtor i burgut të Mitrovicës), Kasalloviq dhe Ajeti (i dyshuari Sherafedin Ajeti, ish-drejtor i burgut të Mitrovicës).
Më 24 mars 1999, kur NATO nisi ndërhyrjen ajrore ndaj caqeve ushtarake dhe policore të regjimit të Sllobodan Millosheviqit, besohet se strukturat serbe në terren filluan zbatimin e listës së ekzekutimit. Në mesin e personave që duhej të ekzekutoheshin ishte edhe Agim Hajrizi.