Presidenti serb Aleksandar Vuçiq deklaroi se Serbia pret të nënshkruajë një marrëveshje “të madhe” për avionët luftarakë francezë gjatë një vizite këtë javë nga lideri francez, një marrëveshje që vlerësohet të jetë me vlerë miliarda dollarë.
Vuçiq i bëri komentet për agjencinë AFP (Agence France Presse) përpara vizitës dyditore të presidentit francez Emmanuel Macron në Serbi që nis të enjten, me dyshen që pritet të nënshkruajnë një sërë marrëveshjesh dypalëshe, transmeton Klankosova.tv.
Presidenti serb nuk specifikoi numrin e avionëve francezë Rafale që do të bliheshin apo koston përfundimtare të kontratës nëse nënshkruhet marrëveshja.
“Është një kontratë e madhe për këtë vend dhe nuk është një kontratë e vogël edhe për Francën”, tha ai duke përshkruar atë që parashikohet të jetë një marrëveshje miliona dollarëshe.
Në të kaluarën, Ministria e Mbrojtjes e Serbisë tha se vendi po kërkonte të blinte 12 avionë nga Parisi për të zëvendësuar flotën e vjetër të avionëve luftarakë.
Vitin e kaluar, Vuçiq la të kuptohet se Beogradi ishte gati të shpenzonte rreth tre miliardë euro për blerjen e mundshme të avionëve luftarakë francezë.
“Shumica e avionëve tanë, ose të gjithë avionëve tanë, të gjithë interceptorët tanë dhe të gjithë avionët tanë luftarak vinin nga Rusia, dhe tani ne duhet të ndryshojmë veten, zakonet tona dhe gjithçka tjetër për të përgatitur ushtrinë tonë”, shtoi Vuçiq, transmeton Klankosova.tv .
Nëse nënshkruhet, marrëveshja do të ishte më e fundit në një varg marrëveshjesh armësh të lidhura me Evropën, Kinën dhe Rusinë e mundësuar nga një rritje e shpenzimeve nga Beogradi në dekadën e fundit.