Shtetet e Bashkuara sanksionuan të mërkurën tre individë dhe katër kompani, pjesë e rrjetit të Presidentit të Republikës Serbe Milorad Dodik, që mundësonin përpjekjet e vazhdueshme të familjes së udhëheqësit pro rus për t’iu shmangur sanksioneve amerikane.
Në një njoftim të Departamentit amerikan të Shtetit thuhet se ky veprim përfshin gjithashtu sanksionimin e Stasha Kosharacit, një politikan nga Bosnja dhe Hercegovina, që shërben si një mbështetës kryesor i korrupsionit dhe agjendës politike destabilizuese të Dodikut.
Qeveria amerikane e ka sanksionuar më parë Dodikun për, ndër të tjera, përfshirje në korrupsion.
“Për vite me radhë, Dodiku e ka shfrytëzuar pozicionin e tij zyrtar për të grumbulluar pasuri personale përmes kompanive të lidhura me të dhe djalin e tij, Igor Dodik. Ky korrupsion ka dëmtuar besimin e publikut në institucionet shtetërore të Bosnjës e Hercegovinës dhe sundimin e ligjit. Rrjeti Dodik ka vazhduar përpjekjet e tij të qëllimshme për të anashkaluar sanksionet amerikane duke manipuluar strukturat e menaxhimit dhe duke riregjistruar kompanitë e sanksionuara me emra të rinj”, thuhet në njoftimin e DASH-it.
Veprimi i sotëm, thuhet në njoftim, shpalos më tej “përpjekjet flagrante dhe korruptive të familjes Dodik për t’u pasuruar dhe për të anashkaluar sanksionet amerikane”, ndërsa theksohet se “Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të vënë në shënjestër ata që lehtësojnë korrupsionin e Dodikut dhe mundësojnë përpjekjet e tij për të cuar përpara veprimtaritë destabilizuese në Bosnje dhe Hercegovinë.