Kompania Ujësjellësi Rajonal “Prishtina” u ka bërë apel qytetarëve që ta shfrytëzojnë racionalisht ujin e pijes.
Tutje theksohet se kjo thirrje bëhet me qëllimin e vetëm që të ketë ujë të mjaftueshëm për të ardhmen.
“Uji sot nuk duhet të shfrytëzohet në mënyrë të pakontrolluar, me ç‘rast i zvogëlojmë rezervat e ujit të pijshëm, por uji duhet kursyer pikë për pikë.! Vetëm kështu sigurojmë sasi të mjaftueshme të ujit të pijshëm për të ardhmen”, thuhet në njoftim.
Deri sa KRU-Prishtina po apelon për ruajtjen e ujit, tregon se janë duke inspektuar terrenin në rast të keqpërdorimit me ujë dhe kyçje ilegale.
“Sot kemi rritje të kërkesave për ujë të pijshëm, pavarësisht që shpërndarja bëhet në mënyrë të barabartë dhe me kapacitete maksimale trajtuese.
Nga ju kërkojmë shpenzim racional të ujit, ndërsa ne jemi duke inspektuar terrenin për kyçje ilegale dhe keqpërdorime të ujit në zonat urbane e rurale”,thuhet në njoftim.