Policia e Kosovës ka bërë të ditur detaje nga rasti i fajdesë në qytetin e Prizrenit, ku u arrestuan dy persona pasi të njëjtit përfituan kamatë 100% nga viktima.
Sipas njoftimit të Policisë në Facebook, të dyshuarit, në bashkëpunim dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë, kanë kontraktuar një shumë dukshëm jo proporcionale në këmbim të dhënies së borxhit, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të viktimës dhe duke e ngarkuar me kamatë mujore shumë të lartë, prej 100%, transmeton Klankosova.tv.
Gjatë operacionit policor, siç thuhet, është kontrolluar shtëpia dhe objektet e tjera përcjellëse të dyshuarve në Prizren. Lidhur me këtë janë sekuestruar para të gatshme dhe prova të tjera materiale.
Policia ka bërë të ditur edhe inicialet dhe moshat e të dyshuarve, të cilët janë F.B., mashkull 32-vjeçar, dhe L.G., mashkull 22-vjeçar, nga Prizreni, të cilët janë intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës të caktuar sipas detyrës zyrtare.
“Pas arrestimit, të dyshuarit F.B., mashkull 32-vjeçar, dhe L.G., mashkull 22-vjeçar, nga Prizreni, janë intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës të caktuar sipas detyrës zyrtare. Me aktvendim të prokurorit nga Prokuroria Themelore në Prizren, ndaj tyre është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Të dyshuarit janë dërguar në qendrën e mbajtjes në stacionin policor në Prizren. Hetuesit, në bashkërendim me prokurorin e shtetit, po punojnë intensivisht në mbledhjen e provave dhe dëshmive lidhur me këtë rast”, thotë PK.


























