Aplikacioni eKesco tashmë ka përdorim masiv te popullata kosovare. Numri i konsumatorëve që e përdorin atë ka arritur në afro 260 mijë. Vetëm gjatë dy javëve të fundit të korrikut ky numër është shtuar për 1300 konsumatorë të rinj, duke e bërë aplikacionin ndër më të përdorurit në Kosovë.
Për të qenë sa më afër konsumatorëve, KESCO javë më parë kishte lansuar versionin e ri të aplikacionit, përderisa ka nisur edhe një fushatë për promovimin e saj, pasi vlerësohet që lehtëson shumë shërbimet që kërkojnë konsumatorët.
Pos mediave dhe rrjeteve sociale, fushata ‘Me ni t’prekme’ është e fokusuar edhe në Aeroportin e Prishtinës, “Adem Jashari”, ku KESCO ka vendosur dy shtande, një në ardhje e një në shkuarje, me qëllim që ta ofrojë aplikacionin sa më afër edhe bashkatdhetarëve. Pagesat e energjisë elektrike që ata mund të kryejnë përmes aplikacionit kudo që janë në botë, ua ka lehtësuar shumë jetën mërgatës, e cila ka prona të shumta në Kosovë.
Pagesat nga aplikacioni janë rritur me gati 50 për qind, pasi gjithnjë e më tepër konsumatorë po përdorin formën elektronike, që është mjaft e sofistikuar përmes sigurisë së sistemit bankar, në vend që të shkojnë fizikisht në sportele.
Pos pagesave, aplikacioni ka gjetur përdorim të gjerë edhe në shërbime tjera, siç janë kërkesat/ankesat e ndryshme, njoftimet lidhur me situatën eletroenergjetike, lidhur me gjendjen e njehsorit të konsumatorit, shkarkimi i faturës së konsumatorit e shumë shërbime tjera.
Dizajni i ri ka rritur atraktivitetin e navigimit dhe eksperiencës te shfrytëzuesit, pasi pjesa më e madhe e atyre që e kanë shkarkuar aplikacionin janë shfrytëzues aktivë dhe janë shprehur mjaft të kënaqur me versionin e ri.
KESCO mbetet e përkushtuar që të ndërtojë partneritet me konsumatorët duke u ofruar shërbime sa më të avancuara përmes teknologjive të përparuara, në hap me kohën dhe duke u përkujdesur që të jetë kompani sa më miqësore ndaj ambientit.