Kuvendi i Maqedonisë së Veriut i ka shkarkuar në mesnatë dy ministra të Qeverisë teknike nga radhët e Aleancës për Shiptarët (ASH) pasi kishin mbështetur propozimin e kësaj partie që në zgjedhjet e majit t’i bashkoheshin bllokut opozitar shqiptar – Lidhja Evropiane për Ndryshim.
Pas një votimi me rezultatin 62 vota “për”, kuvendi ka vendosur për shkarkimin e dy ministrave, Azir Aliut dhe Fatmir Mexhitit, raportojnë mediat në Maqedoni.
Sipas këtyre mediave shkarkimi i ministrit të Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti dhe i ministrit të Administratës dhe Shoqërisë Informatike, Azir Aliu, ka rezultuar me tensione e polemika të shumta mes partive në pushtet dhe opozitë.
Në arsyetimin e kërkesës për shkarkimin e tyre, kryeministri teknik, Talat Xhaferi ka thënë se “nuk ka vërejtje për punën dhe profesionalizmin e ministrave Mexhiti dhe Aliu, por pas bashkimit të tyre me Arben Taravarin, duhet të largohen, pasi në Qeveri nuk mund të jenë dy subjekte opozitare”.
Vendimi është marrë pasi dy ministrat dolën publikisht në mbështetje të kryetarit të ASH-së, Arben Taravari për të kaluar në opozitë.
Në vend të tyre, të hënën, pritet të emërohen Ilir Demiri si ministër i Shëndetësisë dhe Naim Bajrami si ministër i Administratës dhe Shoqërisë Informatike.
Por, kjo kishte nxitur reagim te një pjesë e partisë që udhëhiqet nga ish-kryetari i saj, Ziadin Sela, kryetar aktual i Kuvendit të kësaj partie.
Sela për sot ka thirrur Kuvendin për të konstatuar përgjegjësinë, por edhe fillimin e procedurës për shkarkim të Taravarit nga partia.
E, Taravari ka thënë se Sela nuk e ka mbështetjen e kuvendarëve, pasi shumë prej tyre i kanë dhënë mbështetje qëndrimit të tij për të bërë koalicion me opozitën.
Përçarja në ASH është reflektuar edhe në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.