Një avion holandez, që po fluturonte drejt Amsterdamit ka dalë jashtë pistës pas një uljeje emergjente në Aeroportin Torp Sandefjord në Norvegji.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës, kur një Boeing 737-800 i KLM-së përjetoi një defekt hidraulik pak pas ngritjes nga Aeroporti i Oslo-s, duke e detyruar ekuipazhin të devijonte fluturimin për në Aeroportin Sandefjord, transmeton klankosova.tv.
Fluturimi po transportonte 176 pasagjerë dhe 6 anëtarë të ekuipazhit.
Pas uljes së sigurt në Aeroportin Sandefjord, rreth 110 kilometra në jug të Oslo-s, avioni ka devijuar nga pista dhe është ndaluar në barin e butë, duke u bërë objekt i shumtë i videove që po shpërndahen gjerësisht në mediat sociale.
Megjithatë, askush nuk është raportuar të ketë pasur lëndime.
Ky incident ka ndodhur vetëm disa orë para një tragjedie tjetër, kur një avion Boeing 737-800, i operuar nga Jeju Air, i cili po udhëtonte nga Bangkoku në Kore të Jugut me 181 pasagjerë, është përplasur gjatë uljes në Aeroportin Muan, duke lënë të vdekur të paktën 179 persona, ndërsa dy të tjerë janë shpëtuar nga rrënojat.