Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), respektivisht Klinika e Neonatologjisë, ka bërë përgatitjet për fillimin e Shërbimit të Transportit Neonatal, transmeton KosovaPost.
Në njoftimin e lëshuar thuhet se ky është një shërbim jetik për foshnjat e porsalindura që kanë nevojë për kujdes të specializuar dhe të menjëhershëm mjekësor.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të QKUK-së, Osman Hajdari , së bashku me dr. Ardian Shefkiun, kanë parë nga afër përgatitjet e fundit që po realizohen nga stafi shëndetësor.
“Për t’iu përgjigjur nevojave të transportit neonatal, është organizuar dhe realizuar një trajnim i veçantë për stafin shëndetësor, për të siguruar një transport të sigurt dhe efikas për foshnjat në gjendje kritike. Me këto përgatitje të avancuara dhe angazhimin e lartë të ekipit shëndetësor, pritet që shërbimi i transportit neonatal të nisë nesër nga Klinika e Neonatologjisë, ku do të bëhët transporti për rastet e paracaktuara nga Spitalet rajonale”, thuhet në njoftimin e Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës.
Sipas ShSKUK-së, ky hap përbën një arritje të rëndësishme për sistemin shëndetësor në Kosovë, duke rritur cilësinë e kujdesit për pacientët më të vegjël dhe më të ndjeshëm.