Sigal Prishtina i është rikthyer triumfit në Ligën ENBL, duke i shkaktuar humbjen e parë ekipit çek BC Opava.
“Bardhekaltrit” kanë fituar bindshëm 102:75 në ndeshjen e zhvilluar të martën mbrëma në Pallatin e Rinisë.
Pas dy humbjeve radhazi në këtë garë ndërkombëtare dhe tri në kampionatin vendor, kryeqytetasit kanë reaguar, duke u treguar më të mirë nga periudha e dytë e deri në fund të takimit.
Me këtë fitore, Prishtina regjistron fitoren e katërt në ENBL, ndërsa Opava tani ka bilanc prej katër fitoreve dhe një humbje.
Pesë lojtarë të Prishtinës kanë shënuar pikë dyshifrore. Më i dalluari ishte Deondre Burns me njëzet e shtatë pikë, shtatë asistime dhe gjashtë kërcime. Adrio Bailey ka kontribuar me njëzet e një pikë dhe nëntë kërcime, Tilemachos Vissariou ka shënuar njëzet pikë, ndërsa Arian Azemi i ka shtuar nëntëmbëdhjetë pikë, gjashtë asistime dhe tri kërcime.
Ndeshja është zhvilluar në praninë e pak shikuesve. Në ENBL garon edhe Peja.


























