Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani ka deklaruar se subvencionimi për bujqit dhe blegtorët nga Lugina e Preshevës është një hap domethënës në përkrahjen e vazhdueshme që Qeveria e Kosovës po jep për ruajtjen dhe zhvillimin e potencialit kombëtar, transmeton KosovaPost.
“ Kjo mbështetje nuk është vetëm ndihmë financiare, por edhe një nxitje për rritjen e kapaciteteve tona, duke përfshirë këtu edhe agroturizmin, i cili lidhet ngushtë me zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë”, ka shkruar Sinani në Facebook.
Ajo ka thënë se e falënderon kryeministrin, Albin Kurti, që sipas saj çdo ide dhe angazhim po e kthen në veprime konkrete për Luginën e Preshevës.
“Faleminderit Qeverisë së Republikës së Kosovës për këtë përkrahje të madhe, e cila jo vetëm që ndihmon bujqësinë dhe blegtorinë, por krijon edhe mundësi të reja për zhvillimin e agroturizmit, duke rritur ekonominë lokale dhe promovuar potencialin e Luginës së Preshevës si një destinacion unik”, ka shkruar tutje Sinani.