Të paktën 300 palestinezë janë vrarë përderisa forcat izraelite intensifikojnë sulmet tokësore dhe ajrore në Gaza veriore. Dhjetëra mijëra civilë janë të bllokuar ndërsa furnizimet me ushqim dhe ujë po mbarojnë, e rrethimi po vazhdon për të nëntën ditë.
Në anën tjetër forcat ajrore Izraelite kanë zgjeruar bombardimet në Liban, duke goditur zona të Hezbollahut, përfshirë një xhami 100-vjeçare.
Beteja të ashpra ndërmjet forcave izraelite dhe atyre të Hezbollahut kanë çuar në plagosjen e 25 ushtarëve izraelitë, të cilët u evakuuan.
Hezbollahu ka vazhduar sulmet e tij ndaj Izraelit, me raketa dhe predha në vendbanimet veriore izraelite. E Izraeli është akuzuar për përdorimin e municioneve të ndaluara në Libanin jugor.
Personeli i OKB-së në Liban ka paralajmëruar për një konflikt të mundshëm katastrofik rajonal.
Ministri izraelit i mbrojtjes theksoi përpjekjet për të shmangur dëmtimin e tyre, por Kryeministri Netanyahu ka kërkuar largimin e tyre. Ndërsa, së fundi është raportuar për një krizë në furnizim nëpërmjet Kanalit të Suezit. Autoriteti i Kanalit të Suezit raporton një rënie të ndjeshme të trafikut të anijeve për shkak të sulmeve të Houthit, duke ngritur shqetësime për ndikimin në zinxhirët globalë të furnizimit.
Nga ana diplomatike, Ministrat e jashtëm të Irakut dhe Iranit kanë theksuar rëndësinë e shmangies së përfshirjes së rajonit në një luftë të plotë. Ministri i Jashtëm irakian Fuad Hussein deklaroi se janë duke u zhvilluar komunikime për të larguar rrezikun e luftës nga rajoni, duke theksuar se Iraku dhe hapësira e tij ajrore nuk duhet të përfshihen në konflikt. Irani, nga ana e tij, është i përgatitur për një armëpushim ose për luftë, por po punon për të ndaluar agresionin izraelit ndaj Gazës dhe Libanit./rtk