Padia është ngritur nga polici Shpend Istogu, djali i Ajet Istogut – një ish-oficer i UDB-së, i njohur për përndjekjen e shqiptarëve gjatë viteve ’80. Dugolli, në një deklaratë të publikuar në Facebook, ka theksuar se vetë ka qenë viktimë direkte e torturave nga Ajet Istogu gjatë regjimit jugosllav, dhe se ka të drejtë të flasë hapur për krimet që i janë bërë atij dhe shumë të tjerëve, përcjell KosovaPost
“Sot, pas 44 vitesh, historia duket se përsëritet: atëherë, babai i tij më torturoi dhe përgatiti dosjen për aktakuzë të rëndë; sot, djali i tij më padit për ‘nxitje të urrejtjes’,” shkruan Dugolli, duke shtuar se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga e vërteta që ka deklaruar publikisht.
Dugolli ka kritikuar Prokurorinë Speciale duke theksuar se në vend që të trajtohet si viktimë e dhunës sistematike të aparatit shtypës serb, ai sot përballet me drejtësinë kosovare si i dyshuar, për shkak të një deklarimi publik që sipas tij është faktikisht i bazuar në përjetime personale dhe historike.
“Dhe një fjalë për Prokurorinë Speciale: unë prisja të intervistohesha si viktimë dhe dëshmitar i krimeve të rënda të kryera ndaj të burgosurve politikë dhe gjithë shqiptarëve , deri tek masakra gjenocidale e Dubravës. Nuk e kam pritur kurrë të intervistohem për këso lloj pretendime, kur gjithë jetën time kam qenë viktimë e dhunës së aparatit shtypës të Serbisë dhe bashkëpunëtorëve të saj.
Unë nuk kam çfarë të tërheq nga ajo që kam deklaruar. Përkundrazi, kam bërë denoncime publike dhe do të vazhdoj t’i bëj. Prokuroria do të duhej të merrej me këto dëshmi dhe fakte të dokumentuara, e jo me pretendime boshe, të cilat nuk më lëndojnë vetëm mua, por edhe qindra e mijëra atdhetarë që mbijetuan dhunën dhe torturat çnjerëzore të Serbisë dhe shërbëtorëve të saj.
Unë nuk kam çfarë të tërheq nga ajo që kam deklaruar. Përkundrazi, kam bërë denoncime publike dhe do të vazhdoj t’i bëj. Prokuroria do të duhej të merrej me këto dëshmi dhe fakte të dokumentuara, e jo me pretendime boshe,” thuhet më tej në reagimin e tij.
Postimi i plotë:
Në Prokurorinë Speciale:
Të nderuar miq,
Sot u intervistova në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, në cilësinë e të paditurit për “nxitje të urrejtjes…”. Padia është ngritur nga një pjesëtar i Policisë së Kosovës, Shpend Istogu, djali i ish-oficerit famëkeq të UDB-së, Ajet Istogu, i njohur për torturat e rënda ndaj të rinjve, intelektualëve dhe punëtorëve shqiptarë gjatë viteve ’80.
Në vitin 1981, unë vetë përjetova dhunën e tij fizike, psikike dhe emocionale, ndërkohë që shumë të tjerë (duke përfshi edhe vetën) vuajmë pasoja të rënda dhe të përhershme shëndetësore. Edhe pse ai ka vdekur, krimet e tij mbeten të gjalla në trupat dhe shpirtrat tanë që kemi vuajtur. Krimi mbetet i gjallë edhe sot sepse nuk është ndëshkuar kurrë, qoftë edhe simbolikisht.
Sa për familjarët që ngrenë padi, nuk i kam kërkuar të mbrojnë krimet e të afërmit të tyre, por të tregojnë pak dinjitet, qoftë edhe në formën e heshtjes. Të vërtetën nuk mund ta mohojnë, sepse kur ne ishim në burg, ata ushqeheshin me pagën e fituar nga torturat mbi ne.
Deklarimi im publik në një emision televiziv për veprimet e tij paska “shqetësuar” familjarët e tij, të cilët sot kanë vendosur të më padisin. Është e habitshme dhe e dhimbshme që, pas 44 vitesh, historia duket se përsëritet: atëherë, babai i tij më torturoi dhe përgatiti dosjen për aktakuzë të rëndë; sot, djali i tij më padit për “nxitje të urrejtjes”!
Në vend që të reflektonte mbi të kaluarën, të kërkonte falje apo të shprehte keqardhje për vuajtjet e shkaktuara nga babai i tij, ai ka zgjedhur një rrugë tjetër. Por unë jam i gatshëm të përballem ballëhapur, i qetë dhe i bindur në të drejtën time. Ne luftuam për lirinë e Kosovës, për këtë liri që sot u jep mundësi të gjithëve, madje edhe atyre që nuk skuqen e nuk ndiejnë keqardhje për të bëmat e prindërve të tyre, duke ngritur padi të pabazuara.
E di që e vërteta shpesh është e dhimbshme, por ajo nuk mund të fshihet. Pavarësisht çmimit, unë do të qëndroj gjithmonë në mbrojtje të saj.
Dhe një fjalë për Prokurorinë Speciale: unë prisja të intervistohesha si viktimë dhe dëshmitar i krimeve të rënda të kryera ndaj të burgosurve politikë dhe gjithë shqiptarëve , deri tek masakra gjenocidale e Dubravës. Nuk e kam pritur kurrë të intervistohem për këso lloj pretendime, kur gjithë jetën time kam qenë viktimë e dhunës së aparatit shtypës të Serbisë dhe bashkëpunëtorëve të saj.
Unë nuk kam çfarë të tërheq nga ajo që kam deklaruar. Përkundrazi, kam bërë denoncime publike dhe do të vazhdoj t’i bëj. Prokuroria do të duhej të merrej me këto dëshmi dhe fakte të dokumentuara, e jo me pretendime boshe, të cilat nuk më lëndojnë vetëm mua, por edhe qindra e mijëra atdhetarë që mbijetuan dhunën dhe torturat çnjerëzore të Serbisë dhe shërbëtorëve të saj.
























