I dërguari për misionet speciale i presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, Richard Grenell, një figurë e njohur nga administrata Trump, ka dalë hapur për lirimin e ish-kryeministrit pakistanez, Imran Khan, duke ngritur shqetësime për ndërhyrjet e jashtme në politikën e vendit. Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur qeveria e Pakistanit dhe ushtria vendase janë akuzuar për shtypje politike të mbështetur nga elementë ndërkombëtarë, përfshirë Sorosin dhe Donald Lu.
Grenell, i cili ka mbajtur disa poste të rëndësishme në administratën Trump, përfshirë atë të ambasadorit të SHBA në Gjermani, ka publikuar vazhdimisht në mediat sociale kërkesën për lirimin e Khan-it. “Lironi Imran Khan,” ka deklaruar ai në një postim të fundit në platformën sociale X, duke tërhequr vëmendjen ndërkombëtare dhe duke shkaktuar reagime të përziera në Pakistan.
Ndërkohë, një dokument sekret i publikuar nga media amerikane “The Intercept” zbulon përfshirjen e Donald Lu, një zyrtar i Departamentit të Shtetit, në presionin mbi qeverinë pakistaneze për të larguar Khan-in nga pushteti. Sipas dokumentit, Lu i kishte bërë të qartë ambasadorit pakistanez se largimi i Khan-it do të sillte marrëdhënie më të ngrohta me Uashingtonin, ndërsa dështimi për ta bërë këtë do të rezultonte në izolim politik dhe ekonomik.
Khan, një nga figurat më të popullarizuara politike në Pakistan, është në burg që nga gushti 2023, i dënuar për akuza që shumë i konsiderojnë si të motivuara politikisht. Ai dhe mbështetësit e tij pretendojnë se arrestimi është rezultat i një komploti të orkestruar nga ushtria e fuqishme pakistaneze dhe aleatët e saj ndërkombëtarë, përfshirë Sorosin dhe administratën e Biden.
Gjatë kohës së tij në pushtet (2018-2022), Khan njihej për politikat e tij të pavarura, duke sfiduar ndikimin e SHBA-së dhe duke ruajtur një qëndrim neutral në konfliktin Rusi-Ukrainë. Kjo politikë neutraliteti çoi në tensione të hapura me Uashingtonin, të cilat kulmuan me një mocion mosbesimi që e largoi atë nga pushteti në 2022.
Në një reagim nga burgu, Khan ka uruar Trump-in dhe Grenell-in për për fitoren e tyre elektorale, duke shpresuar se administrata e re amerikane do të ndihmojë në mbrojtjen e demokracisë dhe të drejtave të njeriut në Pakistan.
Analistët besojnë se presioni ndërkombëtar për lirimin e Khan-it, përfshirë ndërhyrjet e zyrtarëve si Grenell, mund të ndikojë në marrëdhëniet SHBA-Pakistan dhe të sfidojë narrativën e tanishme të qeverisë së udhëhequr nga Shehbaz Sharif. Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse kjo do të sjellë një ndryshim të vërtetë politik në Islamabad.