Ceremonia qendrore u organizua në ambientet e Drejtorisë e Përgjithshme të Policisë së Shqipërisë në Tiranë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë, të Policisë dhe zyrtarëve të tjerë.
Tiranë
Me disa ceremoni dhe aktivitete në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit, është shënuar sot 110-vjetori i krijimit të Policisë së Shqipërisë, raporton Anadolu Agency(AA).
Ceremonia qendrore për këtë përvjetor u organizua në ambientet e Drejtorisë e Përgjithshme të Policisë së Shqipërisë në Tiranë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë, të Policisë dhe zyrtarëve të tjerë.
Zëvendësministri i Brendshëm i Shqipërisë, Andi Mahila, gjatë fjalës së tij në ceremoni tha se në jetën e saj 110-vjeçare, Policia ka kaluar kalvarin e vet.
Ai thekoi se Policia e Shqipërisë është konsoliduar si një institucion dinjitoz në shërbim të qytetarëve, që mbron rendin, qetësinë, jetën dhe pronën e tyre.
“Sot jemi në një etapë të re, shumë më pozitive dhe premtuese se çdo fazë tjetër të shtetit tonë. Jemi në fazën e integrimit në familjen e madhe evropiane dhe në këtë rrugëtim, policia e shtetit është ndër organizmat më të rëndësishëm që luan një rol kyç në jetësimin e kësaj ëndrre mbarëkombëtare”, tha Mahila.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shqipërisë, Muhamet Rrumbullaku, në fjalën e tij në ceremoni tha se historia e shtetit shqiptar është e lidhur ngushtësisht me historinë e Policisë.
“Ndoshta e brishtë kur u krijua në 13 janar 1913, si Forcë e Ruajtjes së Rendit, por e shndërruar në ditët e sotme në një institucion të fuqishëm në mbrojtje të shtetit demokratik dhe lirive e të drejtave të njeriut, dhe e renditur krahas institucioneve ndërkombëtare të zbatimit të ligjit në luftën kundër krimit që tashmë nuk njeh kufij dhe sigurimit të rendit dhe sigurisë së vendit tonë”, u shpreh ai.
Rrumbullaku tha se vlera dhe kontributi i Policisë i japin dimensione të jashtëzakonshme dhe krejt të veçanta Shqipërisë dhe misionit të Policisë së Shqipërisë.
Si datë e krijimit të Policisë së Shtetit Shqiptar njihet 13 janari i vitit 1913.