Zëvendëskryeministrja e dytë e Spanjës dhe ministrja e Punës Yolanda Diaz përshëndeti vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP) për lëshimin e urdhrit të arrestit për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant, duke thënë se Madridi është në anën e drejtësisë, transmeton Anadolu.
“Gjithmonë në anën e drejtësisë dhe ligjit ndërkombëtar”, tha Diaz në X dhe shtoi: “Gjenocidi ndaj popullit palestinez nuk mund të mbetet i pandëshkuar”.
Komentet e saj erdhën pasi Dhoma Paragjyqësore e Gjykatës së Hagës tha se “lëshoi urdhra arresti për dy individë, z. Benjamin Netanyahu dhe z. Yoav Gallant, për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte të kryera nga të paktën 8 tetori 2023 deri të paktën më 20 maj 2024, dita kur Prokuroria ka bërë kërkesën për urdhër arresti”.
Duke vepruar kështu, ajo gjithashtu hodhi poshtë njëzëri sfidimin ndaj juridiksionit nga ana e Izraelit sipas neneve 18 dhe 19 të Statutit të Romës.
Në lidhje me krimet e dyshuara, gjykata tha se “ka gjetur baza të arsyeshme” për të besuar se Netanyahu dhe Gallant “secili mbajnë përgjegjësi penale për krimet e mëposhtme si bashkëpunëtorë për kryerjen e akteve së bashku me të tjerët: krimi i luftës i urisë si një metodë lufte; dhe krimet kundër njerëzimit vrasje, persekutim dhe akte të tjera çnjerëzore”.
Urdhrat e arrestit vijnë ndërsa ofensiva gjenocidale e Izraelit në Gaza kohët e fundit ka hyrë në vitin e saj të dytë, duke vrarë tashmë rreth 44.000 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, dhe duke plagosur mbi 103.000 të tjerë.