Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka deklaruar se diplomacia shqiptare ka nisur një angazhim të plotë në rrafshin ndërkombëtar për mbrojtjen e së vërtetës historike të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Sot, Kuvendi i Shqipërisë foli me një zë për të vërtetën e luftës çlirimtare të Kosovës dhe për dinjitetin e atyre që e mbajtën mbi supe atë barrë historike”, ka shkruar Spiropali.
Ajo tha se ky ishte “një zë që nuk vinte vetëm nga salla e parlamentit, por nga kujtesa e një kombi që e di çfarë do të thotë të luftosh për liri”.
Spiropali bëri të ditur se Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e ka përshëndetur këtë deklaratë dhe është angazhuar për zbatimin e saj në çdo forum ndërkombëtar.
“Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme e përshëndet këtë deklaratë dhe angazhohet plotësisht për zbatimin e saj në çdo forum ndërkombëtar, me dinjitet, me përkushtim dhe me respekt të palëkundur për të vërtetën historike”, tha ajo.
Sipas Spiropalit, lufta e UÇK-së “nuk ishte një kapitull i errët, por një dritë në një kohë të errët për gjithë kombin shqiptar”.
“Ajo ishte një luftë për mbijetesë, për dinjitet dhe për të drejtën themelore të një populli për të jetuar i lirë në tokën e vet. Kjo e vërtetë nuk është çështje interpretimi politik; është pjesë e ndërgjegjes sonë kolektive”, u shpreh ministrja.
Ajo theksoi se Shqipëria qëndron pranë Kosovës në këtë moment të vështirë për drejtuesit e asaj lufte dhe familjet e tyre.
“Në këtë moment të vështirë për drejtuesit e asaj lufte dhe për familjet e tyre, Shqipëria qëndron pranë Kosovës, me solidaritet të plotë dhe me besimin se drejtësia duhet të jetë e paanshme, e drejtë dhe në përputhje me të vërtetën historike”, tha Spiropali.
Ministrja bëri të ditur se do të ndërmerren hapa diplomatikë për mbrojtjen e kësaj të vërtete.
“Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme do të ndërmarrë çdo hap diplomatik për të mbrojtur këtë të vërtetë, për të kundërshtuar çdo përpjekje për barazimin e viktimës me agresorin dhe për të siguruar që zëri i Shqipërisë dhe i Kosovës të dëgjohet qartë në çdo tryezë ndërkombëtare”, deklaroi ajo.
Në fund, Spiropali theksoi se “liria e Kosovës është një kapitull i përbashkët i historisë sonë, dhe dinjiteti i saj është dinjiteti i gjithë kombit shqiptar”.


























