Sindikata e Policisë së Kosovës (SPK), përmes një komunikate për media ka reaguar për vlerën e propozuar nga qeveria për rritjen e pagave, duke thënë se nuk pajtohen.
Në komunikatë thuhet se SPK përshëndet çdo vendim të Qeverisë për rritjen e pagave në sektorin publik dhe mbështet idenë që kjo rritje të jetë lineare për të gjithë punonjësit.
“Megjithatë, SPK vlerëson se shuma e propozuar për këtë rritje nuk përkon me nevojat reale të punonjësve, duke pasur parasysh inflacionin dhe rritjen e çmimeve, si dhe nivelin e pagave të policisë në shtetet e rajonit tonë”, thuhet në reagim.
Tutje në reagim thuhet se duke u nisur nga këta faktorë, SPK kërkon që rritja e pagave për vitin 2025 të realizohet duke përfshirë një rritje totale prej dy koeficientësh. Konkretisht, sugjerohet që rritja e parë të zbatohet në janar për një koeficient dhe e dyta në qershor për një koeficient shtesë.
Sipas Sindikatës së Policisë së Kosovës, kjo qasje do të siguronte një mbështetje të qëndrueshme ekonomike për punonjësit policor, duke përputhur pagat me rritjen e kostos së jetesës dhe me standardet e rajonit.