Në dekadën e fundit vendet e Ballkanit Perëndimor janë vënë në shënjestër të fushatave dezinformuese të Rusisë.
Historiani amerikan Jason Steinheur, i cili së fundmi mori pjesë në një konferencë mbi këtë temë në Kosovë, në një intervistë për Zërin e Amerikës thotë se bëhet fjalë për një plan rus që ka për qëllim të minojë marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara e Bashkimit Evropian dhe ta largojë rajonin nga rreshtimi me aleancën transatlantike. Në një intervistë me kolegen Garentina Kraja ai thotë se deri më tani ky plan ka shënuar sukses të moderuar për shkak të financimit, pakënaqësive të brendshme dhe arsyeve historike.
Zëri i Amerikës: Zoti Steinheur, së fundmi ishit në Kosovë, ku morët pjesë në konferencën e parë ballkanike mbi dezinformimin. Cilat ishin përshtypjet tuaja se si po përballen shoqëritë dhe vendet e Ballkanit me këtë sfidë dhe si po e luftojnë atë?
Jason Steinheur: Përshtypjet e përgjithshme për Kosovën janë shumë pozitive. Kosova ka një popullatë të qëndrueshme, që më frymëzoi. Megjithatë, vendi përballet me sfida të shumta, duke filluar me ndotjen, ndryshimet klimatike. Ka sfida të shumta me dezinformimin, me gjendjet e mediave dhe njohuritë rreth mediave dhe këtë problem e kanë të gjitha vendet e Ballkanit.
Zëri i Amerikës: Ju jeni autor i librit “Historia, e ndërprerë”, ku keni shkruar për mënyrat se si historia është ndikuar nga rrjetet sociale…
Jason Steinheur: Po, argumenti im është që siç e kemi ndjerë ndikimin e rrjeteve sociale në politikë, shëndetin publik dhe gazetari, platformat sociale kanë ndryshuar mënyrën se si flasim dhe si e tregojmë historinë tonë.
Në takimin e Prishtinës, unë argumentova se sa më shumë që përdorim rrjetet sociale për të komunikuar për të kaluarën, aq më shumë vlerat e rrjeteve sociale bëhen vlera tona. Me fjalë të tjera, ne ndryshuam mënyrën se si e rrëfejmë historinë dhe se si rrëfimet tona mbi historinë iu përshtatën frymës së rrjeteve sociale, duke privilegjuar disa lloj historish, ndërkohë që disa të tjera as nuk shihen e as nuk tregohen, sepse të gjithë po synojmë të jemi sa më shumë të pranishëm në rrjetet sociale. Kur prania zëvendëson saktësinë, si shtytësi kryesor, që prej kohësh ka qenë elementi kryesor në analizat dhe studimet e historisë, atëherë do të ketë pasoja të mëdha mbi historinë që mësojmë dhe historitë me të cilat ballafaqohemi. Aktualisht, në sferën tonë publike kemi rrëfime që janë të dukshme, sepse ne të gjithë po përdorim rrjetet sociale për të arritur këtë qëllim. Por, a do të thotë kjo që historia që po shohim është e saktë? Dhe në momentin që përpiqemi të analizojmë saktësinë e informacionit mbi një ngjarje të caktuar që e shohim në internet, kjo pasqyrë bëhet më e ndërlikuar dhe problematike.
Zëri i Amerikës: Në një shkrim mbi përshtypjet tuaja për Kosovën flisni për rolin e Rusisë. Si po ndikon propaganda e Rusisë në shtrembërimin e historisë?
Jason Steinheur: Historia mund të shndërrohet në një armë të fuqishme. E kemi parë një shtrembërim të tillë të historisë në veçanti kur bëhet fjalë për Rusinë dhe Ukrainën. Zakonisht, kur mendojmë për historinë, ne bëjmë pyetje dhe provojmë të gjejmë dëshmi për t’iu përgjigjur pyetjeve. Dhe kështu arrijmë në përfundimin nëse diçka mund të ketë ndodhur, apo të mos ketë ndodhur në të kaluarën.
Në rastin e Rusisë dhe Ukrainës, për shembull, kemi parë aktorë si Rusia, si Putini, që janë përpjekur ta përmbysin këtë proces historik. Me fjalë të tjera, japin fillimisht përfundimin që u intereson dhe pastaj shpikin dëshmitë për të mbështetur pretendimet e tyre. Ngaqë shohim aq shumë informacione historike në rrjetet tona sociale çdo ditë, shpesh e kemi të vështirë, si konsumatorë, të kuptojmë se si u arrit deri tek ky përfundim historik. A janë hartuar ato në bazë të një metodologjie të saktë dhe të ndershme, apo përmes një synimi keqdashës për të arritur tek një përfundim tashmë i paracaktuar?
Në vendet si Ballkani shohim mungesë të të lexuarit kritik të mediave dhe sfidë me të lexuarin kritik të historisë. Është pjesë e punës time të përpiqem të ndërtojë këtë aftësi tek shoqëria.