Zv/kryeministri dhe ministri për Marrëdhënie midis Bashkësive, Ivan Stoilkoviq, bindjet e tij personale i shpalos edhe në opinion. Rasti i fundit është ku ai e quan Republikën e Kosovës, “Kosova dhe Metohija”, ku në rrjetet sociale janë publikuar pamje nga një kumtesë që është publikuar në ueb faqen e Ministrisë të cilën e drejton ai, i cili në Beograd, kishte vizituar kampin e ashtuquajtur të fëmijëve “Serbia të thërret”, ku kishin marrë pjesë edhe rreth 50-të fëmijë nga Maqedonia e Veriut. Ngjarja ka ndodhur gjatë periudhës nga 1 deri më 11 gusht të vitit të kaluar.
Për këtë, sot ka folur zv/kryeministri i parë Izet Mexhiti, i cili tha se Stoilkoviq është përfaqësues i serbeve dhe nuk pretendojnë që ta bëjnë shqiptar, ndërsa shtoi se marrëdhëniet mes Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës janë të mira.
IZET MEXHITI, ZV/KRYEMINISTËR
“Ne nuk e mohojmë se Stoilkoviqi është përfaqësues i serbëve. Fatkeqësisht dmth…është përfaqësues i tyre dhe nuk pretendojmë ta bëjmë shqiptar atë, as të mendon si ne, por dallimi mes neve dhe atyre të kaluarve kanë qenë se me vetiniciativë u bënë pjesë e Open Balkan, i cili nuk e njihte Kosovën. Ne Republikën e Kosovës e njohim. Takimi i parë i kryeministrit Mickoski ka qenë me kryeministrin Kurti”.
Pas këtij veprimi, i pyetur se nëse eventualisht a do të ketë interpelancë kundër Stoikloviqit, Mexhiti tha se ata si VLEN dërguan një porosi që të premten, pasi siç tha, momenti që u votua interpelanca për Stoilkoviqin deputetët e VLEN-it, nuk ishin asnjë prezent aty.
Ndërkaq, kanë reagur edhe nga partia opozitare shqiptare, BDI, të cilët theksojnë se kjo nuk është vetëm një fyerje për Kosovën, por edhe një tradhti e turpshme ndaj shqiptarëve nga siç thonë, koalicioni VLEN.
BASHKIMI DEMOKRATIK PËR INTEGRIM
“Ata që garuan në zgjedhje duke u mburrur me mbështetjen e një partie politike në Kosovë, sot e pranojnë dhe përdorin gjuhën e Beogradit! Ky është kulmi i degradimit të tyre politik dhe poshtërimi i radhës për VLEN-in.Kjo nuk është vetëm një fyerje për Kosovën, por edhe një tradhti e turpshme ndaj shqiptarëve që VLEN-i i mashtroi për të marrë votat e tyre. Sot, të gjithë shohin sesi kauza e tyre e dyshimtë përfundon në gjirin e propagandës serbe, duke dëshmuar edhe një herë se janë vetëm vegla të politikave të huaja dhe jo përfaqësues të denjë të shqiptarëve në këtë shtet”.
Kujtojmë se më 18 nëntor të vitit që lamë pas, kryeminstri i vendit Hristijan Mickoski së bashku me kabinetin qeverisës mbajtën mbledhje të përbashkët me qeverinë e Kosovës, ndërsa në atë takim, mungoi zv/kryeministri Stoilkoviq, për të cilin gjatë press-konferencës në Prishtinë, Mickoski e arsyetoi mungesën e tij duke thënë se ka qenë me obligime tjera, ndërsa shtoi se Stoilkoviqi ka pasur shumë dëshirë të ishte i pranishëm në Prishtinë./shenja