Studentët në Beograd sot bllokuan një nga udhëkryqet më të rëndësishme të trafikut për të shprehur pakënaqësinë e tyre për veprimet e prokurorisë në lidhje me padinë për sulmin ndaj kolegëve të tyre.
Udhëkryqi i Mostarit, i cili lidh rrugët evropiane E-75 dhe E-70 përmes urës Gazela, është bllokuar për një orë.
Studentëve të Universitetit të Arteve iu bashkuan edhe kolegë nga fakultetet e tjera të Beogradit.
Protesta nisi para Pallatit të Drejtësisë, ku një ditë më parë u morën në pyetje dy të dyshuar për sulmin ndaj studentëve të Fakultetit të Arteve Dramatike. Seanca për tre të dyshuarit tjerë është caktuar për më 10 janar.
Protesta u organizua për shkak të pakënaqësisë me punën e prokurorisë në lidhje me raportin për sulmin ndaj studentëve të Fakultetit të Arteve Dramatike gjatë tubimit dhe nderimit të organizuar për viktimat e tragjedisë në Novi Sad që ndodhi në fund të nëntorit.
Turma brohoriste “Studentët janë ngritur, studentët nuk heshtin”, “Duart i keni të gjakosura”.
Ata kanë bërë të ditur se të shtunën, më 11 janar, do të mblidhen para Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit (BIA), dhe një ditë më pas, para Gjykatës Kushtetuese.
Në të njëjtën kohë, me aksione prej 15 minutash heshtje në ora 11:52, qytetarë, gjimnazistë dhe nxënës, në disa lokacione, bënë homazhe për viktimat e shembjes së kulmit të Stacionit Hekurudhor në Novi Sad.
Studentët njoftuan se nuk do të heqin dorë nga kërkesa e tyre për të përcaktuar përgjegjësinë për vdekjen e 15 personave.
Tragjedia në Novi Sad që ndodhi më 1 nëntor shkaktoi protesta qytetare, si dhe aksionin “Stop, Serbi”.
Studentët kërkojnë publikimin e të gjithë dokumentacionit për rindërtimin e Stacionit Hekurudhor në Novi Sad, heqjen e akuzave ndaj studentëve, aktivistëve dhe qytetarëve të arrestuar dhe ndaluar gjatë protestave. Ata kërkojnë ngritjen e kallëzimit penal ndaj sulmuesve të studentëve, pedagogëve dhe qytetarëve në mitingjet dhe protestat e mëparshme.