Një rreshter e një polic janë suspenduar nga puna me kërkesë të Inspektoratit Policor të Kosovës.
Lajmin e ka konfirmuar zëvendës drejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.
“Po, janë suspenduar dy zyrtarë, një rreshter dhe një polic. Suspendimi ka ndodhur me kërkesë të IPK-së, ndërsa vendimin e ka marrë drejtori i Policisë së Kosovës”, tha Elshani për Klankosova.tv.
Hetimet për pretendimet për keqtrajtimin e një qytetari serb në veri të vendit kishin nisur më 26 tetor të këtij viti lidhur me një incident në sheshin “Car Llazar”.
Sipas raporteve zyrtare, incidenti raportohet të ketë ndodhur më 26 tetor, pas mesnatës (pas orës 3) kur policia ka arrestuar dhe shoqëruar në stacionin policor një qytetar me inicialet M.S me dyshimin se i njëjti ka dëmtuar pronën e një dyqani privat në prezencë të zyrtarëve policorë.