Kryeministri, Albin Kurti, priti në takim ambasadorin e ri të Hungarisë në Kosovë, Béla Bozsik, i cili deri me tani ka shërbyer në cilësinë e zëvendësambasadorit, përcjell KosovaPost.
“Ai e falënderoi Bozsik për punën, angazhimin dhe kontributin e tij në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë që prej vitit 2016, dhe përgëzoi për detyrën e tij të re si ambasador”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, ambasadori Bozsik, shprehu përkushtimin e tij në forcimin e marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve tona dhe mbështetjen e vazhdueshme të Hungarisë ndaj Kosovës.
“Thellimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona është përkushtim dhe qëllim i dyanshëm. Kosova dhe Hungaria bashkëpunojnë në shumë nisma dhe projekte me interes të përbashkët’, u tha në takim.
Kryeministri falënderoi Hungarinë për mbështetjen në fushën e arsimit, veçanërisht 75 bursa në vit të ndara për studentët nga Kosova, por edhe përkrahjen në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
“Rruga përpara e rajonit drejt integrimit në BE e prosperitetit mbetet me rëndësi, ku u veçua dhe kontributi që Hungaria mund të japë vitin e ardhshëm gjatë Presidencës së saj të Këshillit të BE-së. Me këtë rast, Kryeministri Kurti tha se Kosova ka nevojë vitin e ardhshëm për mbështetje për statusin e vendit kandidat për BE, për Partneritetin për Paqe drejt anëtarësimit në NATO, dhe për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, thuhet në njoftim.