Përfaqësuesja e platformës “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha, ka qëndruar sot në Komunën e Prizrenit, ku është pritur nga nënkryetari për komunitete në Komunën e Prizrenit, Furkan Bütüç dhe ka zhvilluar takim të përbashkët me përfaqësues të të gjitha komuniteteve në këtë komunë.
Përfaqësuesit e komunitetit turk, boshnjak, romë ashkali dhe egjiptian njëzëri kanë shprehur mbështetje për Marshin “Drejtësi, jo politikë”, që organizohet nga platforma “Liria ka Emër” dhe do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, në mbrojtje të drejtësisë së paanshme dhe të vlerave të luftës çlirimtare.
Përfaqësuesja e platformës “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha shprehu mirënjohje për përkrahjen e parezervë nga këto komunitete, duke theksuar se ky Marsh është një thirrje qytetare për respektimin e parimeve të drejtësisë, dinjitetit njerëzor dhe për ndarjen e qartë të drejtësisë nga politika.
Tashmë pjesëmarrjen në Marshin “Drejtësi, jo politikë” e kanë konfirmuar edhe kategori të tjera të shoqërisë, duke e shndërruar atë në një kauzë gjithëpërfshirëse qytetare në mbrojtje të drejtësisë dhe së vërtetës historike.


























